Versioni i policisë për sulmin me armë ndaj avokatit Gazmend Halilaj

Policia e Kosovës tha sot se ka marrë informacion se rreth orës 15:50 se në Drenas avokati Gazmend Halilaj është sulmuar nga dy persona të tjerë.

“Në ora 15:50, policia është njoftuar për një rast në Drenas. Rastit i janë përgjigjur menjëherë njësitet relevante policore. Nga informatat e para të marra nga vendi i ngjarjes, dyshohet se dy persona ta kenë  sulmuar ankuesin, i cili është lënduar nga përleshja me ta”, ka thënë policia në një përgjigje për KALLXO.com.

Tutje ata kanë shtuar se policia ende është  duke e trajtuar rastin, përderisa në vendngjarje kanë gjetur dy gëzhoja të armës.

Avokati Gazmend Halilaj rrefeu për KALLXO.com se sot është gjuajtur me armë në afërsi të shtëpisë së tij.

Halilaj i cili është duke u trajtuar në spital pas lëndimeve të marra përmend se ngjarja i ndodhi pak ditë pasi ai kishte folur rreth një çështjeje që lidhet me ish- kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku.

“1.4 milion marka që i zbulova Sami Lushtakut, prej atëherë më kanë përcjell deri sot, e sot më gjujtën ishin kanë duke më pritur te shtëpia”, rrëfen Halilaj.

KALLXO.com ka tentuar të bisedojë edhe me ish- Kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, por ky i fundit ka qenë i paqasshëm në telefon.

Avokati Halilaj ka rrëfyer se si ishte sulmuar sot.

“Më kanë gjuajtur kam mbetur i shtrirë, kam disa plagë por nuk e di, ikam disa plag që jam lënduar por jo prej plumbave. Kur kam mbetur shtrirë ata janë larguar sepse kanë menduar se më kanë kap plumbat se më kanë gjuajtur nga dy metra afërsi dhe janë larguar më kanë gjuajtur apet. Dy persona kanë qenë më një xhip të kaltër”, tha ai për KALLXO.com.

Ai shtoi se nuk i ka njohur personat që e kanë sulmuar atë.

“Jo nuk i kam parë tabelat sepse njëherë më kanë goditur me veturë. Krejt ka ndodhur të shtëpia ime 50 metra thujse larg më kanë dalë në pritë. Më kanë gjuajtur me armë së paku dy herë, se janë dy gëzhoja”, tha Halilaj tutje për KALLXO.com.

Avokati Gazmend Halilaj është i akuzuar për keqpërdorim i detyrës zyrtare, keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin dhe frikësim gjatë procedurës penale.

Akuzat ndaj tij janë në lidhje me dyshimet për abuzimin seksual të një vajze nga Drenasi, e cila ishte e mitur në kohën kur pretendohet abuzimi ndaj saj.