Vërshimet, Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Skenderaj

Kryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura ka njoftuar se si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, është rënduar situata në këtë komunë.

Nura tha se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, ka marrë vendim që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës.

“Kam formuar gjithashtu Shtabin Emergjent, i cili tashmë ndodhet në teren dhe po e bën punën e vet. Që nga orët e mëngjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, ndërkohë që edhe me mbështetje të Shërbimit të Zjarrfikësve, është angazhuar të bëjë maksimumin e punës që situata të jetë nën kontroll, me gjithë vështirësitë dhe kapacitetet ekzistuese karshi sasisë së madhe të ujit nga reshjet e shiut” – tha Nura në një postim në Facebook.

Nura shtoi se në disa fshatra gjendja është jo e mirë, ndërkohë që ekipet dhe shërbimet komunale me makinerinë e punës po i trajtojnë me kujdes telashet e shkaktuara.