Vërshimet në Kosovë: Ushtria angazhohet për ta menaxhuar situatën

Reshjet e mëdha të shiut dhe të borës që kanë përfshirë Kosovën ditëve të fundit, kanë shkaktuar vërshime dhe përmbytje në shumë zona.

Për këtë arsye Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), përkatësisht sektori i Emergjencave është në gjendje gadishmërie dhe tashmë kanë ndërhyrë në disa vende.

Ejup Maqedonci, nga Departamenti i Operacioneve në FSK, në një përgjigje për KALLXO.com, ka treguar për zonat që deri më tani është kërkuar ndërhyrja e FSK-së.

“FSK-ja ka ndërhy në disa vende deri më tash, prej ditës kur kanë filluar vërshimet. Aktualisht në Drenas është duke operu, kemi pas operacion në Kozmin kemi shpëtu 3 persona të moshuar që kanë mbetur të ngujuar, të shtunën. Kemi zhvillu operacion për me hek ujin prej QKUK-së në Prishtinë, në Pulmologji. Në ‘Gurin e Zi’ afër Gjakovës kemi bo shpëtimin e tre personave gjithashtu”, ka thënë Maqedonci përmes telefonit.

Sipas Maqedoncit, zona Perëndimore e Kosovës është më e prekura nga vërshimet dhe përmbytjet.

“Zona Perëndimore e Kosovës është me e prekura, Gjakovë, Klinë, Malishevë dhe në fakt parashikimet e Institutit Hidrometorologjik kanë qenë se në këto zona ka me pas përmbytje”, ka thënë Maqedonci.

Ditëve të fundit Kosova është përballur me reshje të shumta të shiut dhe të borës, që ka sjellur vështirësi te disa rajone në vend, sidomos rajoni i Dukagjinit, ku është përballur edhe me përmbytje.

FOTO – Përmbytjet në Kosuriq të Pejës