Vërmicë, kapen 9 kilogram kokainë - FOTO

Policia e Kosovës në bashkëpunim me atë të Shqipërisë, mbrëmë gjatë orës 21:45 ka kapur rreth 9 kilogram substancë narkotike të dyshuar për kokainë, në pikën kufitare në Vërmicë.

Sipas Policisë së Kosovës, janë arrestuar dy persona, shtetas të Shqipërisë për ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

“Vetura është dërguar në vijën e dytë të kontrollit së bashku me Doganën e Kosovës, gjithashtu në bashkëpunim me autoritetet kufitare të Shqipërisë në bazë të dyshimeve të bazuara  automjeti është dërguar për skanim, imazhet e skanimit kanë dhënë indikacione për hapësirë të fshehur post fabrikat nën ulësen e pasme”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, pas hapjes së ulëses së pasme është gjetur bunkeri, në të cilin janë gjetur 9 paketime që dyshohet të jetë kokainë, me sasi prej 8 kilogram e 800 gram.

“Bashkëpunimi në mes të Doganës dhe policisë së Kosovës si dhe asistenca e ofruar nga autoritetet e Shqipërisë, ka rezultuar me zbulimin dhe parandalimin e këtij rasti. Lidhur me rastin janë njoftuar njësitet relevante policore si dhe prokurori i rastit, me vendim të të cilit personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje”, thuhet në fund të njoftimit.