Zubin Potok FOTO-KALLXO.com

Veriu nuk ka qasje në rrjet të Kosovës

Që nga djegia e disa antenave të telefonisë mobile në veri të vendit më 2008, në disa pjesë të kësaj pjese të territorit të Kosovës mungon sinjali i operatorëve Vala dhe IPKO, por jo edhe i operatorit serb, Mts d.o.o që ka leje të kufizuar.

Në kompaninë publike, Vala thonë se janë në proces të vendosjes së antenave të reja, pasi shtrirjen e rrjetit në tërë Kosovën e kanë obligim ligjor.

Përveç djegies së antenave të telefonisë mobile, në po të njëjtën ditë ishte djegur edhe pika kufitare në Jarinjë.

REL raporton se antenat e djegura nuk ishin zëvendësuar asnjëherë për shkak të mungesës së sigurisë.

Të dhënat nga operatori Vala tregojnë se në komunat Zubin Potok e Leposaviq, nuk ka fare mbulueshmëri ose në disa raste ka sinjal por i dobët.

Gjithashtu REL ka raportuar se Telekomi i Kosovës ka një plan konkret për këtë çështje.

“Kemi plan që fillimisht të vendosim edhe dy antena të reja e më pas edhe shumë antena të tjera, me qëllim që të ofrojmë shërbime në të gjithë pjesët e vendit. Është obligim edhe i yni si kompani publike që t’u ofrojmë të gjithë qytetarëve të vendit shërbime tona publike pavarësisht vendit se ku gjinden”, ka thënë për REL, Menduh Abazi, zëdhënës i Telekomit të Kosovës.

Në lidhje me këtë çështje operatori tjetër telefonik IPKO ka pranuar se në Veriun e Mitrovicës nuk ka mbulueshmëri aq të dendur sa në zonat e tjera të Kosovës duke mos dhënë detaje shtesë nëse kanë ndonjë plan konkret për të rregulluar këtë çështje.

Shqiprim Pula nga ARKEP ka thënë se qytetarët serb për shkak të operatorit serb kanë anashkaluar operatorët VALA e IPKO.

“Pse ata nuk kanë ofruar mjaftueshëm shtrirje të rrjetit ajo mund të jetë një temë që nuk varet nga ne sepse ne nuk administrojmë biznesin e tyre. Tjetra që vlen të theksohet është fakti që qytetarët serb janë më shumë të dhanun me operatorin serb dhe kanë anashkaluar operatorin IPKO dhe Vala”, tha Pula.

Tutje ai shtoi se nuk ka pasur ndonjë trajtim të kësaj çështjeje.

“Një vendim i tillë nuk ka rezultuar akoma, një trajtim i një teme të tillë nuk është trajtuar akoma dhe realisht vazhdon të funksionoj MTS doo duke mos pasur një iniciativë konkrete për ta formalizuar një tenderim ndërkombëtar për operatorin e tretë”, thotë Pula.