Verifikimi ngadalëson largimin e refugjatëve afganë nga Kosova për në SHBA

Nisja për në Amerikë e refugjatëve të mbetur afganë në Kosovë varet nga përfundimi i një sërë kontrollesh të detajuara për të kaluarën e tyre – dhe nëse ata kanë lidhje me talebanët, ka thënë një burim amerikan për Prishtina Insight.

Shumica e refugjatëve afganë që janë ende në Kosovë janë gra dhe fëmijë të personave që po i nënshtrohen proceseve të verifikimit përpara se të shpërngulen në SHBA, tha një burim në qeverinë amerikane për Prishtina Insight.

“Rreth 200 janë aktualisht të vendosur në Kampin Liya në Bondsteel, shumica e të cilëve janë bashkëshortë ose fëmijë të individëve që i nënshtrohen përpunimit shtesë të të dhënave”, tha ky burim.

Më shumë se 1,300 shtetas afganë kërkuan strehim në Kosovë pas gushtit të vitit 2021, kur militantët talebanë morën pushtetin në Kabul.

Kosova po i mbanë përkohësisht, derisa të kalojnë procesin e verifikimit për riatdhesim në vendet e treta.

Afganët në Kosovë raportohet se kanë qenë kryesisht bashkëpunëtorë të SHBA-së dhe NATO-s gjatë pranisë së tyre në Afganistan nga viti 2001 deri në vitin 2021.

Por, sipas raporteve nga CBS dhe The Wall Street Journal në janar, disa rrezikojnë të mos lejohen të udhëtojnë në SHBA për shkak të shqetësimeve për lidhjet e mundshme të së kaluarës me talebanët.

I njëjti burim amerikan ka theksuar se të gjithë afganët që po qëndrojnë në Kosovë duhet t’i nënshtrohen kontrolleve të sigurisë për të vazhduar drejt SHBA-së.

Ky burim nuk ka sqaruar se sa prej tyre po i nënshtrohen këtij verifikimi shtesë.

“Udhëtarët afganë do vazhdojnë të udhetojnë nga Kosova për në Shtetet e Bashkuara pasi të jenë pastruar nga procesi i kontrollit dhe verifikimit dhe të kenë marrë lejen e nevojshme mjekësore dhe imunizimet”, tha burimi.

Lidhur me raportimin e Wall Street Journal se në mesin e tyre përfshihet edhe një ish-shef i agjencisë së inteligjencës afgane, një gjeneral afgan dhe një ish-zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, burimi i qeverisë amerikane tha se janë në dijeni të këtij lajmi, por nuk mund të komentojnë për raste specifike.

Prishtina Insight nuk ka marrë përgjigje as nga Julie Sirrs, avokate që ndihmon ish-shefin e agjencisë së inteligjencës afgane, i cili sipas The Wall Street Journal po mbahet së bashku me familjen e tij në Kosovë.

Deri më sot, gati 400 individë të drejtuar në Kampin Liya për përpunime shtesë kanë vazhduar rrugën në Shtetet e Bashkuara.

“Procesi i kontrollit dhe verifikimit të sigurisë është gjithëpërfshirës, ​​kërkon kohë dhe përfshin shumë agjenci qeveritare. Procesi përfshin rishikimin e gjurmëve të gishtërinjve, fotografive, të dhënave biometrike dhe biografike”, shpjegoi burimi amerikan.

Sipas këtij burimi, çdo rast verifikimi është unik dhe se po tentojnë t’i përfundojnë brenda 365 ditëve, siç ishte rënë dakord fillimisht me Qeverinë e Kosovës.

Për ata individë që nuk do të mund të udhëtojnë në SHBA, qeveria amerikane do të punojë me vendet partnere që do t’i pranojnë.

Ministria e Brendshme e Kosovës tha për Prishtina Insight se asnjë nga afganët e pritur në Kosovë nuk kishte aplikuar për leje qëndrimi.

“Në bazë të marrëveshjes që ka qeveria, shtetasit afganë mund të qëndrojnë në Kosovë për një vit dhe deri më tani asnjë nga shtetasit afganë nuk ka aplikuar për qëndrim në Kosovë”, ka thënë ministria.

Sipas ministrisë, në Kosovë mbeten 283 shtetas afganë, të cilët do të largohen në drejtim të vendeve të tjera.

Rreth 135,000 afganë u larguan nga Afganistani pasi talebanët morën pushtetin.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight