
Vendosen çmimet tavan për karburante
Ministria e Tregtisë ka vendosur sërish çmimet tavan për naftën dhe nënproduktet e saj.
MINT ka njoftuar se ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve.
“Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës”, thuhet në njoftim.
Tutje MINT njofton se vendimi është bazuar në monitorimin e rregullt të çmimeve në tregun e produkteve të naftës, evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës, si dhe raportet e përditshme nga Inspektorati i Tregut, lidhur me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të naftës, me ç’rast është evidentuar një rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror.
“Kjo përbën bazë për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse sipas Ligjit Nr.08/L-018 Për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtëritshme dhe Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr.03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse’’, njofton MINT.
‘’Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy centë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 12 centë për litër’’, thuhet më tej në njoftimin e MINT.
Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.