Veliu: Ministria e Brendshme e angazhuar që mos të përsëriten rastet si ky në Gjilan

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP), Agim Veliu, pas rastit tragjik në Gjilan, ka thënë se kjo Ministri do të përdorë të gjitha kapacitetet e saj institucionale ku përfshihen zyrtarë policorë që të mos përsëriten më ngjarje si kjo e sotmja.

Sipas një komunikate për media, MPBAP që prej momentit që ka ndodhur rasti ka angazhuar të gjitha institucionet e sigurisë, si Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, në mënyrë që të shikohen të gjitha rrethanat që quan në kryerjen e kësaj vrasje.

“Në këto momente tragjike Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, është pranë familjeve të viktimave të cilët humbën jetën, me bindjen e thellë që me të gjitha mekanizmat shtetërore të sigurisë do të zbardhin shkaqet e vrasjes”, thuhet në njoftim.

Ministri Veliu, në emër të MPBAP-së i ka shprehur ngushëllime familjes Bllaca për humbjen e familjarëve.

Gjilani është tronditur nga një vrasje e shumëfishtë që ka ndodhur sot rreth orës 13:00 në një shtëpi në rrugën “Xhevat Ajvazi” në lagjen ‘Bujanina’ në këtë qytet.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, një zyrtare policore ka vrarë 4 anëtarë të familjes së saj: prindërit, dy vëllezërit dhe pastaj ka kryer vetëvrasje.

Vrasja e pesëfishtë në Gjilan, Mjekësia Ligjore tërheq trupat e viktimave