(Arkiv) Foto: KALLXO.com

Vela i Presidencës: Strukurat ilegale dhe kriminale serbe po gjuajnë me armë afër Zubin Potokut

Shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka reaguar ndaj lajmeve të disa mediave serbe, sipas të cilave, ka pasur përleshje me armë zjarri në Zubin Potok.

Vela ka thënë se Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë përleshje, por sipas tij strukturat ilegale dhe kriminale të Serbisë po gjuajnë me armë.

Po ashtu, Vela ka thënë se këto media janë në përpjekje për të nxitur konfrontim të armatosur në Kosovë.

“Mediat pro-regjimit të Serbisë janë në përpjekje për të nxitur konfrontim të armatosur në Kosovë, duke raportuar rrejshëm se përleshjet po ndodhin afër Zubin Potokut” – ka thënë ai.

Tash e disa ditë veriu i Kosovës i ka rrugët e bllokuara nga 11 barrikadat që janë vendosur pas arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste.

Lidhur me largimin e këtyre barrikadave krerët e vendit kanë thënë se janë në pritje të KFOR-it për të vepruar, ndonëse ditëve të fundit kanë thënë edhe se mund t’i largojnë vetë ato nëse KFOR lajëmron për pamundësinë e një veprimi të tillë.