Vdes një qytetar nga Ferizaj, dyshohet se aksidentalisht ra në lumin Morava

Një burrë nga Ferizaj ka vdekur pasi që dyshohet se ka rënë aksidentalisht në lumin Morava afër pikës kufitare Dheu i Bardhë.

“Policia e Kosovës, Stacioni Policor Ranilluk ka njoftuar se kanë marrë një informatë më 05.03.2024 rreth orës 16:00 se një person mashkull shqiptar shtetas i Kosovës (R. M. 1955) nga Ferizaj dyshohet se ka rënë në lumin Morava, afër pikës kufitare Dheu i Bardhë” – njofton zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Trupi i viktimës, sipas njoftimit, dyshohet se ishte bartur nga uji në territorin e Serbisë dhe është nxjerrë në afërsi të pikës kufitare.

“Sipas informatave të para i ndjeri së bashku me fëmijët e tij (djalin dhe vajzën) me veturë ishin nisur në drejtim të pikës kufitare Dheu i Bardhë. Në afërsi të parkingut afër pikës kufitare, viktima është afruar afër lumit dhe dyshohet se ai ka rënë aksidentalisht në lumë” – tha për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë Ismet Hashani.

Për këtë rast është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Rrethanat e vdekjes po hetohen nga Policia rajonale e Gjilanit.