Vdes një foshnje e porsalindur në Suharekë, Policia po e heton rastin

Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke e hetuar rastin e vdekjes së një foshnje të porsalindur në Suharekë.

Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Bytyqi ka treguar se për rastin janë njoftuar rreth orës 17:20.

“Sot, rreth orës 17:20 është raportuar se në Emergjencën e Suharekës një foshnje e porsalindur ka ndërruar jetë. Foshnja është dërguar në Emergjencë nga nëna e saj dhe familjarët nga fshati Studençan i Suharekës” – ka thënë zëdhënësi.

Tutje ai ka shtuar se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pasi që janë mbledhur dëshmitë nga dëshmitarët, prokurori kujdestar ka urdhëruar që të hapet rasti – hetim i vdekjes.

Bytyqi ka thënë se trupi i foshnjës është dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.