Vaksinimi kundër COVID-19 në Kosovë

Vaksinimi në Kosovë u përcoll me telashe

Kosova ka administruar shumicën dërrmuese të 24,000 dozave të vaksinës Astra Zeneca të cilën e ka pranuar në muajin mars, ndërkohë që disa mjekë hezitojnë të vaksinohen dhe ka konfuzion lidhur me regjistrimin.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka deklaruar për KALLXO.com se janë administruar gati të gjitha 24,000 dozat e vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19 të cilat Kosova i ka pranuar në muajin në mars.

Procesi i vaksinimit filloi më 29 mars, me kryeministrin Albin Kurti i cili e mori dozën e parë në sallën e sporteve 1 Tetori në Prishtinë. Vaksinimi pastaj vazhdoi në sallën e sporteve si dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përpara se të zgjerohej tutje edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare në të gjithë vendin.

Punëtorëve shëndetësorë, qytetarëve mbi 80 vjeç dhe qytetarëve të tjerë në moshë me sëmundje kronike shëndetësore u është dhënë prioritet në vaksinim.

Sidoqoftë, në mesin e qytetarëve ka pasur disa hezitime për të marrë vaksinën, madje edhe mes profesionistëve shëndetësorë. Ministria e Shëndetësisë tha për KALLXO.com se nga 4,573 mjekë që ishin paraparë ta merrnin dozën e parë, vetëm 1,816 e kanë bërë këtë, pra më pak se 40 përqind.

Mikrobiologu i njohur Lul Raka ishte kritik ndaj punonjësve shëndetësorë të cilët ishin skeptikë për të marrë dozën e vaksinës, duke deklaruar se ata që kanë dyshime lidhur me vaksinën duhet të kërkojnë një profesion tjetër si dhe ka hedhur poshtë frikën për mpiksje të gjakut.

“Nëse krahasojmë rrezikun e mpiksjes së gjakut, shohim se deri më sot janë regjistruar 4 raste të mpiksjes në 1 milionë të vaksinuar,” tha ai. “Çdo vaksinë ka efekte anësore. Por ethet apo dhembja kalimtare sot është shumë më e lehtë sesa gypi i respiratorit në kujdesin intensiv në spitalin Covid nesër!”

Në fillim të procesit të vaksinimit, Ministria ishte këmbëngulëse në atë që qytetarët duhet të presin për të pranuar një ftesë për t’u vaksinuar, duke inkurajuar njerëzit të aplikojnë ose përmes platformës e-Kosova ose qendrës së tyre lokale të mjekësisë familjare.

Shumë qytetarë pa ndonjë termin paraprak u kthyen prapa nga qendrat e vaksinimit në ditët e para të vaksinimit, duke rezultuar me ankesa për vështirësitë e regjistrimit të qytetarëve të moshuar, shumë prej të cilëve nuk dinë të punojnë me kompjuterë. 

Ministria e Shëndetësisë pranoi për BIRN se kishte raste kur qytetarë të paregjistruar mbi moshën 80 vjeç kishin marrë vaksinën pas një kontrolli të bërë nga një mjek i pranishëm. Sidoqoftë, BIRN ka hasur në disa raste me qytetarë të cilët kanë marrë vaksinën edhe pa ndonjë termin paraprak, përfshirë edhe ata qytetarë në të 70-at.

76,800 doza të tjera të vaksinës AstraZeneca pritet të arrijnë në Kosovë deri në fund të majit përmes programit COVAX, ndërsa 100,000 doza tjera të vaksinës Pfizer/BioNTech pritet të arrijnë në fund të qershorit. Bashkimi Evropian gjithashtu është zotuar të financojë 95,000 doza të një vaksine të paspecifikuar tani  e cila pritet të arrijë në Kosovë midis majit dhe gushtit të këtij viti.

Sidoqoftë, ende pritet që Qeveria e Kosovës ta blejë ndonjë vaksinë kundër COVID-19 për shkak të moskompletimit të marrëveshjes me Pfizer.

Partia opozitare PDK ka kërkuar kërkoi që situata në lidhje me pandeminë COVID-19 të diskutohet në një seancë parlamentare të hënën. Deputeti i PDK-së Abelard Tahiri tha se sigurimi i vaksinave do të jetë pika e parë në rendin e ditës.

“Kjo është një çështje urgjente. Ne jemi ndër vendet e fundit që shohim dritën në fund të tunelit sa i përket vaksinimit, dhe jemi të fundit në Evropë,” tha ai, duke i bërë thirrje Kryeministrit, Albin Kurtit, dhe Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për të dhënë sqarime për këtë çështje.

Të dielën, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bëri të ditur se janë 10,486 raste aktive të koronavirusit në Kosovë, ndërsa 2,129 njerëz të cilët kanë rezultuar pozitiv me këtë virus kanë vdekur. Më shumë se një e treta e vdekjeve kanë ndodhur në vitin 2021, me 794 vdekje që nga 1 janari i këtij viti.

Ky shkrim është publikuar fillimisht në gjuhën angleze në Prishtina Insight.