Ilustrim

Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ka hetuar dhe nuk ka parë kontratat e vaksinave

Në dy vitet e fundit bota është përballur me sëmundjen COVID-19. Për të parandaluar këtë virus për qytetarët janë ofruar vaksina të kompanive të ndryshme.

Edhe qytetarët e Kosovës kanë marrë këto vaksina, të cilat janë siguruar nga Ministria e Shëndetësië përmes kontratave të ndryshme.

Jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën në emër të sëmundjes dhe të panikut qeveritë kanë mbyllur këto kontrata.

E këto kontrata nuk janë hetuar as nga Agjencia Kundër Korrupsionit, pasi as këta të fundit nuk kanë parë këto kontrata.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, drejtori i kësaj Agjencie, Yll Buleshkaj, ka thënë se nuk ka parë as hetime e as kontrata për vaksina.

“Nuk kam parë në vitet e fundit hetime për këtë rast”, ka thënë ai duke shtuar se nuk ka parë as kontratat e vaksinave.

Tutje ai ka thënë se ka parë raporte ndërkombëtare dhe raportime në media të tilla se ka pasur shkelje në procedurat për sigurimin e vaksinave.

“Ligji i prokurimit publik e mundëson prokurimin një burimor për raste të tillë. Kam parë raporte edhe ndërkombëtare që ka pasur shkelje në procedura sepse është shumë lehtë të pretendosh diçka të tillë sepse shumica e kontratave janë zhvillu me negocim”, ka thënë Buleshkaj.