Ukraina shprehet e gatshme për bisedime të pakushtëzuara për Mariupolin

Ukraina është e gatshme të ofrojë bisedime të pakushtëzuara për Mariupolin dhe ka propozuar një “raund të posaçëm” negociatash me Rusinë në qytetin e rrethuar, shkroi në Tëitter negociatori ukrainas dhe ndihmësi i presidentit Mykhailo Podolyak. Një tjetër negociator kryesor ukrainas, David Arakhamia, tha se ai dhe Podolyak ishin gati të mbërrinin në Mariupol për të zhvilluar bisedime dhe “u paraqit një propozim për të zhvilluar negociata të drejtpërdrejta në vendin tonë  për evakuimin e garnizonit tonë ushtarak”.

Volodymyr Zelenskiy ka deklaruar se situata në Mariupol po përkeqësohet me rreth 1,000 civilë të mbetur të bllokuar në fabrikën e çelikut Azovstal me luftëtarët e mbetur që janë të shumtë në numër. Presidenti ukrainas shtoi tutje se 120,000 njerëz po mbahen në Mariupol dhe se “krimet që po ndodhin atje janë shumë më të frikshme dhe më të mëdha se në Borodyanka”, duke iu referuar një tjetër qyteti të shkatërruar ukrainas.

Ramzan Kadyrov, aleati i Vladimir Putinit, tha se ai beson se forcat ruse do të kenë kontrollin e plotë të fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol “para drekës ose pas drekës” së të enjtes.

Ministrat e Financave nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Kanadaja dhe Franca u larguan nga takimi i G20 të së mërkurës teksa përfaqësuesit rusë ishin duke mbajtur fjalim, mes ndarjeve mbi praninë e vazhdueshme të Rusisë në kete organizëm.

Inteligjenca ndërkombëtare thotë se Rusia është e gatshme të nisë sulme të fuqishme kibernetike kundër rivalëve që e mbështesin Ukrainën, kanë paralajmëruar anëtarët e rrjetit të shkëmbimit të inteligjencës “Five Eyes” – SHBA, Britania, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re.

Ukraina po punon për t’i bindur aleatët perëndimorë që t’i zhvendosin dërgesat e gazit natyror të Rusisë nga gazsjellësi Nord Stream 1 në tubacionin e Ukrainës, duke e rritur ndikimin e Kievit, thanë zyrtarët e energjisë për Reuters.

Italia ka nënshkruar një marrëveshje me Angolën për t’i shtuar furnizimet me gaz në një përpjekje për t’u shkëputur nga gazi rus. Në një intervistë me Corriere della Sera, kryeministri i Italisë, Mario Draghi, deklaroi: “Ne nuk duam të varemi më nga gazi rus, sepse varësia ekonomike nuk duhet të bëhet nënshtrim politik”.

Departamenti amerikan i mbrojtjes e ka tërhequr pretendimin e tij se Ukraina ishte furnizuar me më shumë avionë, në vend të kësaj duke thënë se ishin dorëzuar vetëm pjesë për t’i mundësuar Kievit të vinte në veprim më shumë avionë. Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se 14 obusi amerikanë po dërgoheshin, së bashku me municionet e tyre.

Gjermania është mbrojtur kundër kritikave për vonesën e saj në autorizimin e dorëzimit të armëve të rënda në Ukrainë. Gazeta Bild raportoi se qeveria i hoqi automjetet e blinduara dhe tanket nga një listë që prodhuesit gjermanë të armëve po ofronin për t’i vënë në dispozicion Ukrainës – duke e ulur katalogun nga 48 në 24 faqe.

Zelenskiy ka folur mbi “optimizmin e tij të kujdesshëm” se partnerët e Ukrainës tani i kuptojnë më mirë nevojat e vendit të tij, me sa duket në lidhje me furnizimin me armë dhe intensifikimin e sanksioneve ndaj Rusisë.

Ukraina mund ta zhvillojë “shpejtësinë maksimale” në anëtarësimin në BE, tha Zelenskiy në një fjalim kombëtar të mërkurën në mbrëmje pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel. Ai e quajti atë një “moment historik”.

Rusia e ka testuar raketën e saj balistike ndërkontinentale Sarmat, një shtesë e re në arsenalin e saj bërthamor. Deklarata e bërë nga Pentagoni lidhur me këtë zhvillim ka qenë se testi ishte “rutinë” dhe nuk konsiderohej një kërcënim.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, e krahasoi Vladimir Putinin me një krokodil, duke thënë se ai nuk është optimist se mund të negociohet me liderin rus. “Si mund të negociosh me një krokodil kur ai e ka këmbën në nofulla, kjo është vështirësia që hasin ukrainasit. Është shumë e vështirë të shihet se si ukrainasit mund të negociojnë me Putinin tani, duke pasur parasysh mungesën e tij të dukshme të besimit të mirë.”/The Guardian