Kamion i ushtrisë ruse i shkatërruar nga forcat ukrainase - Foto: Ministria ukrainase e Mbrojtjes

Ukraina mund të rimarrë Krimenë deri në verën e ardhshme, thotë ish-komandanti amerikan

Ben Hodges, ish-gjenerali komandant i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Evropë, thotë se ai beson se një çlirim i gadishullit të Krimesë të pushtuar nga Rusia është i mundur deri në verën e vitit të ardhshëm.

“Kur shikoj situatën, shoh se situata e rusëve po përkeqësohet çdo javë”, ka thënë Hodges për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, përcjell Telegrafi.

“Ata thonë se lufta është një test i vullnetit dhe logjistikës – dhe në të dyja aspektet Ukraina është shumë më superiore”.

“Rusët duhet ta humbin [luftën]; përndryshe, ata do të provojnë përsëri pas dy ose tre vjetësh”, ka shtuar ai.

Sipas pikëpamjes së Hodges, “një shpresë” e udhëheqjes ruse është se Perëndimi do të lëkundet në mbështetjen e tij për Ukrainën.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov thotë se Rusia po i përmbahet qëllimeve të saj ushtarake në Ukrainë, pavarësisht mbështetjes perëndimore për vendin.

NATO është tashmë një pjesë “de facto” e konfliktit, por kjo nuk do të ndikojë në qëllimet e Rusisë, ka thënë Peskov për agjencinë e lajmeve Interfax.

Megjithatë, qeveria gjermane dhe shtetet e tjera të NATO-s thonë se nuk janë palë në luftë.

Ndihma për Ukrainën shihet si mbështetje për të drejtën e vetëmbrojtjes së vendit që përpiqet të anëtarësohet në BE dhe NATO. /Telegrafi/