Udhëheqësit e BE-së e miratojnë marrëveshjen prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën 

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian e arritën të enjten në mëngjes një marrëveshje për ta krijuar një plan 50 miliardë euro për Ukrainën pasi Viktor Orbán hoqi veton për ta bërë të mundur këtë marrëveshje.

Vendimi u mor çuditërisht shpejt në fillim të një samiti të jashtëzakonshëm në Bruksel, ku ndihma financiare për Kievin ishte në krye të axhendës.

Fondi special, i njohur si Lehtësia e Ukrainës, kombinon 33 miliardë euro në kredi dhe 17 euro në grante dhe do të disbursohet gradualisht midis viteve 2024 dhe 2027. Pagesat do të kushtëzohen me përfundimin e reformave strukturore që lidhen me administratën publike, qeverisjen e mirë, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe mashtrimit.

Lehtësia është e lidhur me një rishikim më të gjerë të buxhetit të përbashkët të bllokut që përfshin shtesa për migracionin, kontrollin e kufijve, teknologjitë më të avancuara dhe menaxhimin e krizave.

“Të 27 liderët ranë dakord për një paketë shtesë prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën brenda buxhetit të BE-së”- ka njoftuar Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian në një mesazh të shkurtër në mediat sociale.

Deri të enjten në mëngjes, Viktor Orbán kishte bllokuar i vetëm lëshimin e parave të reja për Kievin, pavarësisht lutjeve të përsëritura nga Ukraina e shkatërruar nga lufta, të cilit i nevojiten 37.3 miliardë dollarë, ose 34.45 miliardë euro, donacione perëndimore për ta mbajtur ekonominë e tij në funksion në vitin 2024 dhe t’i mbështesë shërbimet esenciale të tilla si kujdesi shëndetësor, arsimi, mbrojtja sociale dhe pensionet.

Nga Kievi, presidenti Volodymyr Zelenskyy e ka shprehur mirënjohjen dhe lehtësimin e tij.

“Është shumë e rëndësishme që vendimi është marrë nga të 27 liderët, gjë që dëshmon edhe një herë unitetin e fortë të BE-së”- ka thënë Zelenskyy. 

Vendimi politik për lehtësinë e Ukrainës mundëson fillimin e negociatave formale midis Këshillit dhe Parlamentit Evropian, të cilat pritet të zhvillohen me shpejtësi për shkak të urgjencës në rritje të dërgimit të parave të reja në Kiev.

Raundi i parë i bisedimeve është planifikuar të zhvillohet të hënën në Strasburg./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala