Ministria e Liburn Aliut paditet për dhënie të lejës mjedisore për hidrocentralin ‘Lumbardhi’ në Deçan

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), që udhëhiqet nga Liburn Aliu është paditur sot për dhënie të lejes mjedisore kompanisë ‘Kelkos Energy’ për hidrocentralin ‘Lumbardhi’ në Deçan.

Në komunikatën e organizatave paditëse ‘Pishtarët’, ‘Gjethi’ dhe ‘EcoZ’, thuhet se ministri Liburn Aliu është takuar fshehurazi me kompaninë në fjalë, në mënyrë që të pajisë këtë kompani me leje mjedisore.

“Është mësuar se një vit më parë, ministri i Mjedisit Liburn Aliu ka mbajtur takime të fshehta me kompaninë Kelkos dhe pas takimeve, kjo kompani ka marrë leje ujore dhe mjedisore për hidrocentralin “Lumbardhi” në Deçan. Kelkos asnjëherë nuk ka arritur të pajiset me këtë leje dhe ka operuar pa të që nga vitit 2009. Aktualisht kompania Kelkos vepron lirshëm me të gjitha hidrocentralet pavarësisht dëmeve shumë milionshe dhe të parikuperueshme që vazhdon t’ia shkaktojë ambientit në Kosovë” – thuhet në komunikatën e këtyre organizatave.

Tutje, në komunikatë thuhet se vendimi i lëshuar nga ministri Aliu, sipas tyre, amniston kompaninë Kelkos nga të gjitha shkeljet që janë bërë përmes operimit në hidrocentralin Lumbardhi, pa leje mjedisore.

“Ministri Aliu vazhdimisht refuzon dialogun me ambientalistë, mohon të drejtën e qasjes në dokumente publike, denigron ambientalistët në konferenca për media, dhe se fundmi ka ndërprerë edhe bashkëpunimin me organizatën ndërkombetare për mbrojtje të lumenjeve, Riverwatch”.

Këto organizata po ashtu pretendojnë se leja mjedisore ndaj kompanisë Kelkos është dhënë përmes një udhëzimi administrativ, që Zyra e Kryeministrit i kishte kërkuar ministrisë së Liburn Aliut që ta plotësojë atë udhëzm për të përfshirë edhe pjesëmarrjen publike.

“Ministri Aliu ka injoruar në tërësi obligimin ligjor dhe ka favorizuar kundërligjshëm kompaninë Kelkos, duke shkuar edhe një hap me tutje se ministrat e qeverive të kaluara. Ky veprim jo vetëm që është i dëmshëm për mjedisin, por edhe i rrezikshëm dhe alarmues për një qeveri demokratike” – kanë thënë organizatat.

KALLXO.com ka pyetur ministrinë për gjitha pretendimet organizatave dhe është në pritje të përgjigjeve. Ndësa kontaktimi me kompaninë Kelkos Energy për momentin ka qenë i pamundur, për shkak se në ueb-faqen e tyre zyrtare nuk kanë email kontaktues.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve në Deçan mund t`i lexoni në LINK