U ftua si seancë e jashtëzakonshme, "rimëkëmbja" shtyhet për mungesë të kuorumit

Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum për hapjen e punimeve për seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës, shqyrtimi i dytë i Projektligiit për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala deklaroi se edhe LDK-ja si propozues të seancës, kanë kërkuar që të shtyhet për në javën e ardhshme, për shkak të zhvillimeve në vend.

“Kjo seancë nuk koroum. Po ashtu, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi në cilësinë e propozuesit të kësaj seance ka kërkuar në emër të deputetëve nënshkrues që kjo seancë duke marrë parasysh situatën politikë ka kërkuar që të shtyhet për datë 11 nëntor, e mërkurë, ora 11:00”, tha ai.

Dy ditët e fundit është bërë e ditur që janë konfirmuar aktakuzat për kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Dje, Thaçi ka dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës për krime lufte dhe krimekundër njerëzimit ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara dhe ka udhëtuar për në Hagë bashkë me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, dhe shefin e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.

Që nga dje, kur ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të shtetit pas aktakuzës së konfirmuar nga Zyret e Prokurorit të Specializuar, Vjosa Osmani do të jetë u.d e presidentes së Kosovës.

Kurse sa i përket, pikës së rendit të ditës, Kuvendi i Kosovës arriti që më 12 tetor ta votojë në parim projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike, pas gjashtë tentativa.

Ky projektligj u votua në lexim të parë me 64 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Vlera e këtij projektligji është 385 milionë euro.

nenin 12a parashihet tërheqja e qytetarëve të 10 për qindshit të kursimeve të tyre pensionale në  Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës – Trust.

Mundësia për këtë ndryshim ligjor është bërë për shkak të pasojave ekonomike nga situata me pandeminë COVID-19.