Ilustrim

Tubim në Suharekë dhe krisma armësh, policia nis hetim

Pas një publikimi në rrjetet sociale dhe në media për një tubim në fshatin Grejqevc në Suharekë ku janë dëgjuar krisma nga arma e zjarrit, Policia në Suharekë në bashkëpunim më Prokurorinë e Krimeve të Rënda thanë se kanë filluar një hetim preliminar për këtë ngjarje.

Sipas policisë, pas veprimeve operative-hetimore fillestare janë identifikuar dy persona të cilët janë intervistuar nga hetuesit e rastit.

PK-ja bën të ditur se në vendin e ngjarjes policia si provë materiale ka sekuestruar rreth 124 gëzhoja të shkrepura nga arma e zjarrit të cilët do të ekzaminohen dhe të përcaktohet lloji i armës më të cilën janë përdorur pasi janë kalibër i ndryshëm.

“Në lidhje më këtë ngjarje policia me urdhër të prokurorit do të punojë në identifikimin dhe intervistimin e pjesëmarrëseve në këtë tubim”, thuhet në komunikatë.

PK thekson se përveç veprimeve të ndërmarra në rastin e shkaktimit të rrezikshëm si vepër penale, policia ka njoftuar edhe autoritetin e inspektorëve sanitarë për ndërmarrjen e masave për masat anti-Covid19.

“Policia e Kosovës është e përkushtuar të zbatoj ligjin dhe të marrë masa për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, duke mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve, pavarësisht rrethanave dhe situatave të krijuara”, përfundon komunikata.

Sipas vendimit të qeverisë, në Kosovë ndalohet tubimi i më shumë se 50 personave për shkak të pandemisë.