Treni goditi veturën, një person i lënduar

Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot mes një treni dhe një veture në fshatin Qyshk të Pejës.

Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka thënë se shoferi i veturës ka marrë lëndime të rënda por është jashtë rrezikut për jetë.

“Sot rreth orës 10:00 treni që qarkullonte në linjën Prishtinë-Pejë, pikërisht në fshatin Qyshk e ka goditur një automjet, veturë me ç’rast një person ka pësuar lëndime, vozitësi i veturës. Menjëherë është dërguar në emergjencën e spitalit rajonal dhe sipas mjekut viktima ka lëndime të rënda por jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Gashi.

Tutje, Gashi ka treguar se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë emergjente./RTV21