Trafikonte municion luftarak drejt Kosovës, arrestohet 34-vjeçari nga Tropoja

Një 34-vjeçar nga Tropoja është arrestuar pasi dyshohet se po transportonte armë zjarri me qëllim trafikimin drejt Kosovës.

Sipas Policisë së Shtetit, janë sekuestruar 3 armë zjarri prej tyre dy automatikë dhe një pistoletë dhe municion luftarak.

I dyshuari u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, gjatë kohës që me automjetin e tij “Volkswagen”, po transportonte dy armë zjarri automatikë,  1 armë zjarri pistoletë tip “Glock” dhe sasi municioni luftarak, në aksin rrugor Shoshan-Bajram Curri, në vendin e quajtur “Ura e Shtrenjtit”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e  personave të tjerë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Armët e sekuestruara do dërgohen  në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë për ekzaminime të mëtjeshme, nëse këto armë janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”  dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.