TikTok-u lajmëron Policinë e Kosovës, parandalohet një rast potencial i vetëvrasjes

Një thirrje telefonike nga një zyrtare e TikTok-ut ka ndikuar që Policia e Kosovës të parandalojë një rast potencial të dyshuar për vetëvrasje ose lëndim të rëndë.

Policia ka identifikuar personin i cili dyshohet se ka publikuar postime me përmbajtje të rëndë ku paralajmërohej vetëvrasja.

“Sot, rreth orës 13:00, Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetime të Krimeve Kibernetike, ka pranuar një thirrje telefonike nga një zyrtare e kompanisë TikTok (dega në Irlandë).  Nga atje është njoftuar për një postim në platformën TikTok nga një përdorues i panjohur në të cilin postim flitet për vetëvrasje” – njofton policia.

Policia ka kërkuar të dhëna plotësuese nga kompania TikTok dhe i ka pranuar ato përmes e-mailit për një kohë shumë të shkurtër.

“Është drejtuar kërkesë ofruesit për shërbime të internetit për abonent të IP-adresës, bazuar në informatat që janë pranuar, ka dalë që përdoruesi i IP-adresës është në një qytet të Kosovës” – thuhet më tej në njoftim.

Rreth orës 15:00 është lokalizuar dhe identifikuar personi në fjalë dhe fillimisht Policia ka kontaktuar me prindin e tij.

Për këtë rast është njoftuar prokurori dhe Qendra për Punë Sociale.

Policia është shprehur falënderuese ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe vendorë për bashkëpunimin.

Me këtë veprim të shpejtë dhe profesional, Policia thotë se është arritur të parandalohet një rast potencial i dyshuar për lëndim të rëndë apo vetëvrasje.