Theret me thikë një person në Prishtinë

Një person është therur me thikë sot rreth orës 17:00 në Lagjen e Spitalit, në Prishtinë.

Sipas Policisë së Kosovës rasti ka ndodhur pas një rrahjeje mes dy personave.

“Bazuar në  informacionet e para dyshohet se një person i gjinisë mashkullore ka marrë plagë nga një mjet i mprehtë (thikë) dhe i njëjti është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Lidhur me rastin, gjithashtu Policia ka arrestuar në vendngjarje një person të dyshuar, si dhe ka konfiskuar një thikë që dyshohet të jetë përdorur në rast.

“Aktualisht po vazhdon puna për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”.