Foto: Ilustrim

Theret me thikë 45-vjeçari në Prishtinë, i dyshuari vetëdorëzohet në Polici

Një 45 vjeçar është therur me thikë sot në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Sipas Ahmetit, bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se pas një mosmarrëveshje në trafik, 45 vjeçari është sulmuar me një mjet të mprehtë dhe ka pësuar lëndime trupore.

“Sot rreth orës  17 :30, kemi marrë informatën për një  lëndim trupor të ndodhur në lagjen Bregu i diellit në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se pas një mosmarrëveshje në trafik, personi G.B, mashkull 45 vjeç, është sulmuar me një mjet të mprehtë dhe ka pësuar lëndime trupore”- tha Ahmeti për KALLXO.com.

Më tej, Ahmeti thotë se G.B është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkaq Policia aktualisht është duke intervistuar personin e dyshuar, i cili sipas zëdhënëses së PK-së, para pak minutash është vetëdorzuar në polici.