Banorët nuk i lejuan as sot punimet e 'Prishtina Parkingut' në Breg të Diellit

Punëtorët e ndërmarrjes publike “Prishtina Parking” u penguan edhe sot që të zhvillojnë punimet në parkingun e lagjes Bregu i Diellit në rrugën “Elez Geci” në kryeqytet.

Banorët nuk po lejojnë që të punohet në parkingun e tyre nën arsyetimin se nuk janë konsultuar me ta fillimisht dhe se nuk iu është prezentuar asnjë leje ndërtimi. Madje, sot kanë dorëzuar një padi edhe në Gjykatën Themelore kundër “Prishtina Parking’.

Sot është dita e katërt me radhë që banorët mblidhen në formë proteste për të ndaluar makineritë e kësaj ndërmarrje.

Përveç patrullës së Policisë dhe togerit, prezent ishin edhe dy automjete të Njësisë së Reagimit të Shpejtë.

Policia iu tha banorëve që t’i mos i pengojnë punimet e ndërmarrjes “Prishtina Parking”.

Banorëve iu është caktuar takim me Komunën të enjten nga ora 08:30. Ata kanë kërkuar nga ndërmarrja që punimet të ndërpriten, të paktën deri nesër.

Për të përkrahur protesten e banorëve erdhen edhe dy asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë – Gëzim Sveçla dhe Ermal Osmani.

Asamblisti Gëzim Sveçla i quajti të paligjshme këto punime, dhe sipas tij, duhet pritur të kalojë rregullorja e re për “Prishtina Parking”.

“Duhet me pritë rregulloren e re, e cila pastaj nëse kalon ligjshmërinë dhe kalon në kuvendin komunal, sepse në këtë mënyrë që po veprohet në mënyrë klandistine. Jemi në pritje edhe të dokumenteve të Ministrisë së Mjedisit dhe prej Policisë dhe me i sqaru këto sepse nuk ka nevojë për nguti, sepse nëse banorët kanë nevojë për shërbimet e Prishtina Parkingut, i kërkojnë vet” – tha ai.

Zeqir Simnica dhe Gëzim Sveçla

Ndërkaq, gjatë ballafaqimit me banorët, drejtori i “Prishtina Parking”, Artan Mullarama iu tha banorëve se leja është publike dhe se projekti përmbush kërkesat e tyre.

Sipas tij, do të ketë shtim të vendparkingjeve dhe nuk do të mungojë gjelbërimi.

KALLXO.com ka raportuar dje se disa banorë të lagjes “Bregu i Diellit”, kanë dalë sërish për të kundërshtuar zhvillimin e punimeve nga ndërmarrja “Prishtina Parking” në rrugën “Elez Geci” në kryeqytet.

Sipas banorëve, ridizanjimi i parkingut nga ana e kësaj ndërmarrje nuk është i mirëpritur pasi sipas tyre, nuk rregullon gjendjen ekzistuese, por siç thonë ata vetëm shkatërron infrastrukturën. Po ashtu, theksojnë se projekti është bërë pa diskutim me ta.

Ata po kërkojnë që t’iu prezantohet një leje për këto punime.

Ndërmarrja “Prishtina Parking” të hënën ka lëshuar njoftim për banorët e zonës që nga data 25 prill do nis puna në ridizajnim dhe rigjenerim në atë zonë.

Për këtë çështje, më 28 prill 2023, kryeshefi i ‘Prishtina Parking’, Sokol Havolli në disa përgjigje për KALLXO.com është shprehur se projekti për ndërhyrje në atë parking është bërë bazuar në raportimet e banorëve me problemet që kanë aty.

“Kemi identifikuar por edhe janë raportuar nga banorët probleme në organizim të trafikut, bllokim të ujëmbledhësve si dhe kanalizimit, uzurpim të trotuarit nga makinat (parkime ilegale), bllokime të çasjes nga makinat në hyrje të ndërtesave, si dhe mungesë të trajtimit të ishujve (zonave të gjelbra) përbrenda parkimit”- është shprehur Havolli.

Sipas tij, të gjitha kërkesat e banorëve janë përmbledhur në këtë projekt i cili do implementohet brenda 24 ditëve.

“Këto kërkesa/probleme janë ngritur vazhdimisht nga shumica dërmuese e banorëve të lagjes edhe përgjatë vizitave të tyre në zyret e ndërmarrjes edhe përgjate procesit të pajisjes së tyre me kartela të rezidentëve në ndërmarrje. Të gjitha këto probleme janë identifikuar dhe janë përmbledhur në një projekt, të cilin së bashku me Drejtorinë e Investimeve Kapitale si dhe Ndërmarrjen Publike Banesore do t’a implementojmë përgjatë 24 ditëve”- shtoi tutje ai.