Banorët e 'Bregut të Diellit' sërish kundër punimeve të 'Prishtina Parking', e kërkojnë lejen

Disa banorë të lagjes “Bregu i Diellit”, kanë dalë sërish sot për të kundërshtuar zhvillimin e punimeve nga ndërmarrja “Prishtina Parking” në rrugën “Elez Geci” në kryeqytet.

Përveç punëtorëve të kësaj ndërmarrje që po presin të iu lejohet puna, në vendngjarje ka qenë prezente edhe Policia e Kosovës.

Sipas banorëve, ridizanjimi i parkingut nga ana e kësaj ndërmarrje nuk është i mirëpritur pasi sipas tyre, nuk rregullon gjendjen ekzistuese, por siç thonë ata vetëm shkatërron infrastrukturën. Po ashtu, theksojnë se projekti është bërë pa diskutim me ta.

Ata po kërkojnë që t’iu prezantohet një leje për këto punime.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Drejtorinë e Inspekcionit, dhe është në pritje të përgjigjes.

Ndërmarrja “Prishtina Parking” të hënën ka lëshuar njoftim për banorët e zonës që nga data 25 prill do nis puna në ridizajnim dhe rigjenerim në atë zonë.

Për këtë çështje, më 28 prill 2023, kryeshefi i ‘Prishtina Parking’, Sokol Havolli në disa përgjigje për KALLXO.com është shprehur se projekti për ndërhyrje në atë parking është bërë bazuar në raportimet e banorëve me problemet që kanë aty.

“Kemi identifikuar por edhe janë raportuar nga banorët probleme në organizim të trafikut, bllokim të ujëmbledhësve si dhe kanalizimit, uzurpim të trotuarit nga makinat (parkime ilegale), bllokime të çasjes nga makinat në hyrje të ndërtesave, si dhe mungesë të trajtimit të ishujve (zonave të gjelbra) përbrenda parkimit”- është shprehur Havolli.

Sipas tij, të gjitha kërkesat e banorëve janë përmbledhur në këtë projekt i cili do implementohet brenda 24 ditëve.

“Këto kërkesa/probleme janë ngritur vazhdimisht nga shumica dërmuese e banorëve të lagjes edhe përgjatë vizitave të tyre në zyret e ndërmarrjes edhe përgjate procesit të pajisjes së tyre me kartela të rezidentëve në ndërmarrje. Të gjitha këto probleme janë identifikuar dhe janë përmbledhur në një projekt, të cilin së bashku me Drejtorinë e Investimeve Kapitale si dhe Ndërmarrjen Publike Banesore do t’a implementojmë përgjatë 24 ditëve”- shtoi tutje ai.

Banorët nuk lejojnë punimet në parking, kryeshefi i ‘Prishtina Parking’ jep detaje të projektit