I mituri që dyshohet për plagosjen e dy personave në “Bregun e Diellit” është në arrati

Njëri prej të dyshuarve për plagosjen e dy personave, më 15.02.2024 në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, është i mitur dhe gjendet në arrati, njofton Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Mbrëmë policia ka arrestuar tre të dyshuar të tjerë lidhur me këtë rast.

“Nga hetimet preliminare dyshohet se nga të shtënat me armë zjarri janë lënduar dy persona, të cilët kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërkaq është identifikuar një person i dyshuar (i mitur), i cili gjendet në arrati” – tha zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

Rasti është iniciuar si “vrasje në tentativë”. Prokuroria thotë se në koordinim me policinë, po zhvillon hetimet për ndriçimin e rrethanave dhe sigurimit të prezencës së të dyshuarit në procedurën penale.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se informacionin e kanë pranuar më 15.02.2024, rreth orës 21:00.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë, prokurori kujdestar, autoambulanca dhe forenzika.