Foto: Kallxo.com

Thaçi: Nëse do të ndodhë diçka në negociatat me Serbinë, do të ndodhë këtë vit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se nëse do të ndodhë diçka në negociatat me Serbinë, do të ndodhë këtë vit.

Kështu është shprehur presidenti në një intervistë për BBC-në në gjuhën serbe, të cilën e ka publikuar zyra e tij.

“Nëse diçka ka për të ndodhur në negociata me Serbinë, do të ndodh këtë vit. Nëse nuk ndodh gjatë këtij viti, kam frikë që do të humbim dekadat e tëra”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Presidenti ka shtua se viti përfundimtar i mandatit të parë të presidentit amerikan Donald Trump është koha më e mirë për marrëveshje në Ballkan.

“Nuk mendoj se mund ta fitojmë prape vëmendjen e presidentit Trump, të SHBA-së dhe ekipit të tij. Ky kthim i vëmendjes së SHBA-së drejt rajonit tonë është bekim nga zoti për Kosovën, por edhe për Serbinë – ne duhet ta shfrytëzojmë këtë”, ka theksuar ai.

Siç e transmeton Zyra e Presidentit intervistën, thuhet se presidenti i Kosovës fuqishëm i mbështeti nënshkrimet e fundit të letrave të shprehjes së interesit për vendosjes e transportit ajror dhe hekurudhor mes Beogradit dhe Prishtinës, që janë pjesë e dakordimeve të arritura nën patronatin e të dërguarit të presidentit amerikan, Richard Grenell.

“Kurrë s’kemi qenë më afër marrëveshjes sepse shumë procese të tjera janë përfunduar – Kosova është e lirë dhe e pavarur, kurse Serbia di për pavarësinë e Kosovës. Në të njëjtën kohë, jemi shumë larg – shumë do të varet nga liderët e të dy vendeve, a do të investojnë në të ardhmen apo do të mbesin peng i së kaluarës”, ka thënë ai për BBC-në.

BBC shkruan se Thaçi edhe vet ishte pjesë e negociatave në Bruksel me presidentin serb Aleksandër Vuçiqin, të cilat i ka udhëhequr legjislatura paraprake e Komisionit Evropian, e që deri tani nuk rezultuan me marrëveshje përfundimtare, por rezultuan me një varg marrëveshjesh, nga të cilat vetëm disa janë zbatuar.

Shpejtësi apo cilësi: E ardhmja e dialogut Kosovë – Serbi