Shpejtësi apo cilësi: E ardhmja e dialogut Kosovë - Serbi

Përfshirja më aktive e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, rrjedhimisht nënshkrimit të disa marrëveshjeve për lëvizjen e lirë, përmes të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell, ka pasuar me paralajmërime për hapa konkretë drejt këtij procesi edhe nga Bashkimi Evropian.

Me ndërmjetësim të Grenell, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për linjë të fluturimeve, hekurudhave dhe autostradave Prishtinë-Beograd, përderisa dialogu në nivel politik mes të dyja shteteve është pezulluar që nga fundi i vitit 2018.

Së fundi, edhe Bashkimi Evropian është aktivizuar më shumë në proces, duke paralajmëruar emërimin e një të dërguari të posaçëm në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak është përmendur të marr këtë detyrë, ndonëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht një gjë e tillë.

Sidoqoftë, BIRN ka pyetur BE-në se kur pritet të emërohet i dërguari i tyre për dialogun Kosovë – Serbi dhe se a do t’i caktohet kjo detyrë diplomatit Lajçak.

Peter Stano, zëdhënës i diplomatit evropian, Josep Borrell, ka thënë për BIRN-in se ende nuk ka ndonjë të re në këtë drejtim.

“Sapo procesi të përfundojë dhe të jetë marrë një vendim, ne do ta shpallim atë,” thuhet në përgjigjen e tij.

Stano ka sugjeruar t’i referohemi deklaratës së Borrell të cilën e ka dhënë me 16 shkurt në takimin joformal BE – Ballkan Perëndimor.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell kishte thënë se propozimi për përfaqësuesin special për dialogun Kosovë – Serbi, kërkon një përgatitje të caktuar, për mandatin dhe dokumentet përcjellëse.

Në anën tjetër, Qeveria e re e Kosovës që u zgjodh me 3 shkurt të këtij viti, u gjet larg nënshkrimit të dokumenteve në Mynih të Gjermanisë mes palës kosovare dhe asaj serbe, ku morën pjesë edhe presidenti, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi, se nënshkrimi i marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë për hekurudhat dhe autostradat është bërë pa autorizimin e qeverisë së tij, pasi në takim kanë marr pjesë përfaqësues të cilët janë emëruar nga ekzekutivi i kaluar.

Lidhur me këto zhvillime, njohësi i çështjeve politike të Ballkanit Perëndimor, Florian Bieber, ka thënë për BIRN-in se në parim, kyçja e ShBA-së është lëvizje e mirë dhe se marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë janë pozitive.

Megjithëkëtë, Bieber e ka cilësuar si një sinjal të keq, mospërfshirjen në këtë proces të Qeverisë së re të Kosovës.

“Në fakt, nënshkrimi i një marrëveshje në Mynih me Albin Kurtin të pranishëm në konferencë, por jo edhe duke nënshkruar, sugjeron që Grenell po kërkon fitore të shpejta, jo suksese thelbësore. Zbatimi do të varet në masë të madhe nga qeveria dhe kështu, është e dyshimtë që anashkalimi i qeverisë së re do të japë ndonjë rezultat të qëndrueshëm,” është shprehur analisti.

Për më tepër, sipas Bieber, ajo fuqizon më shumë politikën e fortë të burrave sesa një marrëveshje më transformuese, “e cila është ajo që i duhet dialogut”.

“Shpejtësia gjithashtu sugjeron që Grenell dëshiron të ngre në këmbë BE-në, gjë të cilën e arriti. Sidoqoftë, ‘rrahja’ e kohës ndaj BE-së, nuk është arritje dhe nuk do të japë asnjë rezultat,” thekson ai.

Sa i përket rolit të BE-së në këto negociata, ministri i jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak është emri tjetër pas spanjollit Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, të cilët vijnë nga shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Por analisti Florian Bieber, thotë se nuk do të mbingarkonte rëndësinë e ndërmjetësit i cili vjen nga një shtet mosnjohës.

Sipas tij, as Borell dhe as Lajçak nuk janë arkitektët kryesorë të mosnjohjes.

“Dimensioni pozitiv është se ata kanë më shumë të ngjarë të bindin mosnjohësin për të lëvizur sesa përfaqësuesit nga njohësit,” thekson tutje ai për KALLXO.com.

Bieber vlerëson se është tejet e rëndësishëm që të ketë një ndërmjetës të BE-së në negociatat mes palës kosovare dhe asaj serbe.

“Është zhgënjyese që mori kaq shumë kohë, BE e ka lënë dialogun që të zvarritet për gati dy vjet tani dhe është koha e duhur e kthimit në ‘ulësen e shoferit’. Një ndërmjetës i profilit të lartë duhet të emërojë një ekip të fortë për të lëvizur procesin dhe të rivendosë besimin në të,” thotë ai.

Çfarë mund të arrijë ekipi negociues ShBA – BE?

Ndonëse mes Kosovës dhe Serbisë u nënshkruan disa dokumente me ndërmjetësim të ambasadorit Richard Grenell, faktori më i gjerë ndërkombëtar po kërkon rifillimin e dialogut mes të dyja vendeve.

Negociatat u pezulluan në 2018-n, kur Qeveria e kaluar e Kosovës i vendosi taksë doganore 100 përqind produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Që nga ajo kohë, ShBA-ja dhe BE-ja i kanë bërë thirrje Kosovës ta heq taksën, si dhe kanë kërkuar nga Serbia të ndalë fushatën kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Kurse, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit të plotë me Serbinë.

Për shkak të këtyre zhvillimeve, arritja e një marrëveshje përfundimtare duket të jetë larg edhe pse thirrjet janë që një gjë e tillë të ndodhë sa më parë.

Në anën tjetër, analisti Florian Bieber thotë për KALLXO.com se nuk sheh ndonjë arsye se pse do të duhej të kishte arritje të marrëveshjes përfundimtare këtë vit.

“Në mos se SHBA dhe BE nuk janë të gatshme t’i bëjnë një ofertë si Serbisë, ashtu edhe Kosovës, gjë që askush nuk e ka përmendur për ta bërë një marrëveshje tërheqëse. Një perspektivë e arsyeshme e BE-së nuk është realiste, veçanërisht pasi të dy vendet duhet të trajtojnë çështjet serioze të sundimit të ligjit. Dhe Serbia ka devijuar drejt rritjes së autoritarizmit,” thotë ai.

Sidoqoftë, siç thotë Bieber, një ekip i fortë negociues BE – ShBA mund të arrijë disa gjëra.

Së pari, sipas tij, mund të sigurojë që disa marrëveshje të mëparshme janë zbatuar përfundimisht dhe se ka hapa të tjerë për të përmirësuar marrëdhëniet.

“Mund të ndihmojë gjithashtu në përcaktimin e parametrave të çfarëdo marrëveshjeje dhe fillimin e rindërtimit të procesit,” shton ai.

Megjithëse, Bieber thekson se një proces i tillë duhet t’i japë një rol të fortë Qeverisë së Kosovës, më shumë sesa presidentit.

“Përderisa disa diplomatë perëndimorë ende besojnë se një marrëveshje është e mundur me presidentin serb Vuçiq, unë jam shumë dyshues se ai është i interesuar ose i angazhuar për ndonjë marrëveshje përfundimtare të vërtetë, por më mirë do t’i mbante të hapura opsionet e tij. Sidoqoftë, nëse kjo do të bëhej e dukshme dhe diplomatët perëndimorë do të kuptonin se ai nuk është i interesuar për kompromis që në vetvete do të ishte tashmë një përmirësim,” përfundoi ai.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë kishte nisur në vitin 2011, fillimisht në nivel teknik e më pas në atë politik.

Negociatat së fundi ishin zhvilluar në nivel të presidentëve të të dyja vendeve, atij të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti Thaçi në verën e vitit 2018 kishte proklamuar idenë e tij për “korrigjim të lufijve”, ndonëse mohonte se kjo nënkupton ndarjen e Kosovës.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, së fundi duke folur për demarkacionin [korrigjimin e kufijve me Kosovën] ka thënë se Serbia ka lëshuar një mundësi të madhe për të arritur një kompromis me Prishtinën, dhe në të ardhmen do të paguhet fatura e këtij dështimi.