Hashim Thaçi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Thaçi: Në Speciale kam rrëfyer storien time të suksesit, nuk kam çfarë të fsheh

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë që vazhdimisht e ka mbështetur Gjykatën Speciale.

“Unë prej fillimit i kam dhënë mbështetje këtij procesi dhe pa mbështetjen time nuk do të kalonte as në Parlamentin e Kosovës, në asnjë rrethanë. Jo që i kam duartrokitur, por që duhet ta heqim qafe një herë e përgjithmonë”, tha ai në emisionin ‘’Real Story’’ të Sokol Ballës në News24.

“Këtu secili ftohet individualisht dhe secili merr vendimin individual, por unë kam qenë udhëheqës në UÇK dhe ndihem shumë krenar. Në anën tjetër unë kam ndi obligim që të rrëfej storien e suksesit dhe nuk kam çka me fshehë kurrgjë prej kurrkujt”, theksoi presidenti.

Presidenti Thaçi ka thënë se ndihet krenar që ka qenë njëri nga themeluesit e UÇK-së.

“Qytetarët e Kosovës nuk e kanë filluar luftën pse e kanë dashur luftën, lufta është e tmerrshme dhe nuk kam dëshirë të shoh lajme për luftën sepse e kam përjetuar. Unë personalisht ndihem shumë krenar që jam një nga bashkëthemeluesit e UÇK-së. Përmasat e dhunës së Serbisë janë në përmasa të gjenocidit dhe pastrimit etnik”, ka thënë Thaçi.

Tutje Thaçi ka kritikuar qasjen ndërkombëtare karshi zbardhjes së krimeve në Kosovë.

“Ndaj Serbisë po ndodh një amnisti e padrejtë ndërkombëtare në raport me gjenocidin dhe dhunën e Serbisë të kryer në Kosovë. Sot kemi më tepër të akuzuar shqiptarë sesa serbë, kur dihet që shqiptarët kanë qenë viktima”, tha ai.

Thaçi theksoi se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, por shtoi se ka pasur mundësi të ketë ndonjë individ që ka ‘thyer’ fisnikërinë e luftës.

“Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e domosdoshme.  unë nuk mund të them që ndonjë individ nuk e ka thyer fisnikërinë e luftës, unë mendoj që duhet të thirremi në përgjegjësi individuale, ndërsa lufta ka qenë e pastër dhe nuk ka ndodhë asnjë rast i dhunës ndaj popullatës civile dhe asnjë sulm ndaj monumente kulturore. Nuk ka ndodhur asnjë rast hakmarrje nga UÇK ndaj popullatës civile”, theksoi presidenti.

“Tendenca që viktima të bëhet agresor dhe agresori viktimë është e padrejtë, por jam i bindur që edhe këtë çmim do ta tejkalojmë me këtë proces jo të lehtë por faqebardhë”, shtoi presidenti.