Thaçi: Liderët janë të zëvendësueshëm por jo edhe raporti me SHBA-të

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas vizitës së tij në SHBA në një konferencë për media ka theksuar se partneriteti me SHBA është i pazëvendësueshëm.

I pyetur për kundërshtimin e SHBA-ve për heqjen e pjesshme të tarifës të propozuar nga Kurti, Thaçi ka thënë se kush sfidon raportin me SHBA-të i sjell pasoja vendit.

Sipas tij, kushdo që ka problem me këtë rol ka problem me Kosovën.

“Ne të gjithë liderët politikë jemi te zëvendësueshëm, por raporti ynë me SHBA-të dhe kontributi është i pazëvendësueshëm. Kush pretendon me e sfidu këtë rol atëherë ka probleme me Kosovë, të ardhmen e Kosovës dhe mund të ketë pasoja edhe për vendin por edhe nuk mund të jetë sfidë për shkak që vullneti i njerëzve është më sfidues sesa kokëfortësitë aktuale”, tha ai.

Javën e kaluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar mbrëmë një sërë masash për heqjen graduale të tarifës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina duke filluar me heqjen e tarifës ndaj lëndës së parë që importohet nga këto shtete duke filluar nga 15 marsi.

Ndërsa largimin e plotë të tarifës Kurti e premtoi vetëm nëse Serbia deri më 1 prill dëshmon se do ndalë fushatën për çnjohje ndaj Kosovës.

Ndërsa nga BE-ja kryeministri kosovar kërkoi që të reflektojë, duke e bërë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Propozimet e Kurtit u pritën me reagime të përziera si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. SHBA-të nuk i përkrahën masat e Kurtit duke kërkuar heqjen e tërësishme të tarifave, BE-ja i përkrahi duke mos dhënë datë për vizat, ndërsa Serbia e konsideroi ‘mashtrim’.