Thaçi – Ambasadorëve të Quint-it: Qytetarëve të Kosovës i duhet qeveri e re

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe përfaqësuesen e BE-së në Kosovë, për të diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë si dhe për kërkesat që ky i fundit i ka drejtuar kryetarit të LVV-së, Albin Kurtit.

Në komunikatën e lëshuar nga zyra e presidentit, Thaçi i ka thënë ambasadorëve të Quintit se Kosovës i duhet sa më shpejtë një qeveri e re.

“Qytetarët e Kosovës kërkojnë dhe kanë nevojë për një qeveri me mandat të plotë, sidomos në rrethanat emergjente të shkaktuara nga pandemia”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Ai shtoi se çdo hap që do të ndërmarrë do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, me praktikat e deritashme dhe me vullnetin e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në këtë takim ku të pranishëm ishin ambasadori i SHBA-së, ai i Britanisë së Madhe, i Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë,  presidenti Thaçi i ka falënderuar të gjitha shtetet për përkrahjen që i kanë dhënë Kosovës në përballje me pandeminë e virusit COVID19 dhe ka shprehur ngushëllime për viktimat në çdo shtet.

“Të gjithë së bashku jemi duke e luftuar pandeminë dhe duhet të bashkëpunojmë të gjithë, në Kosovë, në rajon dhe në botë”, citohet të ketë thënë ai.

Sot për herë të tretë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka shkruar kryeministrit Albin Kurti nga i cili ka kërkuar emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re pas mocionit të 25 marsit.

Thaçi i shkruan prapë Kurtit, insiston për mandatarin