Arkiv - Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti

Thaçi i shkruan prapë Kurtit, insiston për mandatarin

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka shkruar prapë letër kryeministrit në detyrë Albin Kurti për t’ia kërkuar propozimin e LVV-së për mandatar për formimin e qeverisë së re, pas mocionit të 25 marsit.

Në letrën e tretë, presidenti Thaçi ka kërkuar nga Kurti që në një ‘periudhë të arsyeshme kohore’ t’ia jap emrin e mandatarit.

“Kërkoj përsëri nga ju që ta bëni propozimin për kandidatin/en për kryeministër pa humbur kohë dhe në përputhje me Nenin 95 të Kushtetutës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. KO103/14. Unë ju siguroj që brenda një periudhe të arsyeshme kohore, në përputhje me urgjencën për t’i dhënë vendit Qeveri të re me legjitmitet nga Kuvendi i republikës së Kosovës, do të propozoj kandidatin/en për kryeministër për të formuar qeverinë”, thuhet mes tjerash në letrën që Thaçi i ka dërguar Kurtit.

Tutje në këtë letër Thaçi shkruan se qytetarët e Kosovës duhet që sa më shpejtë të ketë qeverinë e re të formuar duke ndjekur hapat kushtetues.

“Si president i Republikës së Kosovës do të ndërmarrë këtë veprim duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues, që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë Qeverinë e tyre të re, sidomos në këtë situatë të pandemisë COVID-19, e cila kërkon një qeveri efikase dhe efektive me mandat të plotë kushtetues”, ka thënë tutje ai.