Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Tetë raste të dhunës në familje gjatë 24-orëve të fundit

Tetë raste të dhunës në familje janë shënuar gjatë ditës së djeshme në vend.

3 raste kanë ndodhur në rajonin e Pejës, 2 raste në Vushtrri, një rast në Fushë Kosovë dhe një në Prishtinë si dhe një në Ferizaj.

Në Pejë, është arrestuar i dyshuari, pasi ai kishte tentuar ta sulmojë babanë e tij.

Policia ka njoftuar se njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë konfiskuar një thikë e cila dyshohet të jetë përdorur, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rasti tjetër ka ndodhur në Deçan në ora 12:30. Policia ka arrestuar një të dyshuar, pasi ai kishte ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

Tutje është bërë e ditur se viktima është dërguar në QKMF Deçan për ekzaminim mjekësor.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Klinë, Policia po ashtu ka arrestuar një të dyshuar tjetër për dhunë në familje.

Policia e ka arrestuar të dyshuari, pasi ai kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Tutje është njoftuar se viktima ka pranuar trajtim mjekësor dhe në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit.

Me vendim të prokurorit,  i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Dy raste të dhunës në familje janë shënuar edhe në Vushtrri. Policia ka arrestuar dje një të dyshuar, pasi ai kishte shkuar tek familja e ish-bashkëshortes me të cilën ishin ndarë dhe kishte marrë dy fëmijët e tyre, po ashtu i kishte marrë edhe telefonin viktimës.

Policia ka shtuar se viktima është intervistuar në prezencë të Qendrës për Punë Sociale dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Rasti është duke u hetuar.

Edhe rasti tjetër ka të bëjë më dhunë në familje në Vushtrri. Policia e ka arrestuar një të dyshuar pasi ka shkaktuar mosmarrëveshje deri sa ishin tek babai i viktimës.

Sipas viktimës i dyshuari edhe me herët ishte ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj saj por nuk ka raportuar rastin.

I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Dy raste e tjera kanë ndodhur në Fushë Kosovë dhe Prishtinë.

Në Fushë Kosovë po ashtu është arrestuar një i dyshuar për sulm fizik ndaj gruas së tij.

Policia ka thënë se viktimës i është ofruar trajtim mjekësor.

Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, me vendim të të cilit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Kurse, në Prishtinë, është arrestuar i dyshuari, pasi ai pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht vëllain e tij.

Viktimës i është ofruar trajtim mjekësor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, me vendim të të cilit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Edhe në Ferizaj është shënuar një rast i dhunës në familje. Një grua ka raportuar se  pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Policia tha se palët janë intervistuar dhe në konsultim me prokurorin e shtetit,  rasti vazhdon në procedurë të rregullt.