Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava

Tërnava kërkon nga qeveria dhe ndërkombëtarët shtensionim të situatës në veri

Në mesazhin e tij me rastin e faljes së Kurban Bajramit, festë kjo që po pritet nga besimtarët myslimanë në Kosovës, myftiu Naim Tërnava gjatë urimit të kësaj feste ka pasur një kërkesë për qeverinë e vendit e edhe për ndërkombëtarët.

Tërnava ka apeluar që sa më shumë të kontribuohet në shtensionimin e situatës në veri, zonë në të cilët janë bërë më shumë se një muaj që ka tensione.

“Gjendja e sigurisë në vendin tonë nuk është e qëndrueshme sa dhe si duhet. Tash e sa muaj në veri kemi tensionim të gjendjes. Qeveria dhe institucionet ndërkombëtare duhet të kontribuojnë edhe më shumë, në të gjitha mundësitë e tyre në shtensionim të situatës dhe uljen e tensioneve” – tha Tërnava.

Ai tutje shtoi se të gjitha problemet duhet të zgjidhen përmes dialogut, larg nga përdorimi i dhunës.

“Kosova ka kufijtë e vet, ka sovranitetin e vet dhe Kushtetutën që duhet respektuar në çdo anë që të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve të kombit” – u shpreh Myftiu teksa shtoi se në këtë ditë feste luten që në Kosovë të mbretërojë paqja, harmonia, toleranca, siguria, respekti dhe qetësia.

Që nga 26 maji, qytetarët serbë në veri të vendit janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill 2023, nëpër objektet komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Gjatë protestave rreth 30 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të plagosur dhe lënduar. Po ashtu u raportua edhe për dhjetëra protestues të lënduar. Të lënduar gjatë këtyre ditëve pati edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Me lëndime trupore përfunduan edhe gazetarë të mediave të ndryshme, të cilët që nga fillimi i protestave janë sulmuar disa herë gjatë raportimeve të tyre nga kjo zonë.

Disa vetura të mediave, e edhe të Policisë së Kosovës u thyen e u djegën.

Për sulmet që u bënë në drejtim të gazetarëve e të KFOR-it deri më tani janë arrestuar disa persona.

Më 14 qershor 2023, Policia e Kosovës kishte konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues ishin kidnapuar nga autoritetet serbe brenda territorit të Kosovës.

Një qëndrim tjetër për këtë rast pati Serbia. Nga ky vend u tha se policët nuk janë kidnapuar, por janë arrestuar brenda territorit serb.

Tre policët e Kosovës për 10 ditë u mbajtën në një qendër paraburgimi në Kralevë të Serbisë.

Gjykata e Lartë në Kralevë, më 16 qershor kishte marrë vendim për masën e paraburgimit prej 30 ditëve ndaj policëve të Kosovës, mirëpo të njëjtëve më pas iu ndërpre paraburgimi më 26 qershor, e po të njëjtën ditën policët u kthyen në Kosovë.