'Termokosi' jep detaje për punimet e papërfunduara afër stadiumit 'Fadil Vokrri' (FOTO)

Trotuari rreth rrugës që dërgon te stadiumi ‘Fadil Vokrri’ në kryeqytet është i pakalueshëm, pasi ngrohtorja “Termokos” ka lënë disa punime të papërfundura.

Zëdhënësja e ngrohtoeres “Termokos”, Afërdita Uka për KALLXO.com ka bërë të ditur se në gypin furnizues afër Pallatit të Rinisë janë evidentuar rrjedhje disa herë.

Sipas saj, për shkak që kanë qenë në sezonin ngrohës, çdo ndërhyrje do të ndikonte në ndërprerje të furnizimit për disa ditë për konsumatorët e lagjes ‘Qendër’.

Uka bëri të ditur se janë detyruar që këto punime t’i shtyjnë pas sezonit ngrohës.

“Përgjatë sezonit ngrohës 2021/2022, që sapo kemi përmbyllur, në gypin furnizues në afërsi të Pallatit të Rinisë (në pozicionin për të cilin jeni interesuar ju) janë evidentuar disa herë rrjedhje. Por, pasi që ishim në vijim të sezonit ngrohës, çdo ndërhyrje në këtë gyp furnizues me dimension të gjerë, do të ndikonte në ndërprerjen e furnizimit me ngrohje për disa ditë për një pjesë të konsumatorëve të lagjes “Qendër”, andaj evitimin e këtij problemi jemi detyruar ta shtyjmë pas përfundimit të sezonit ngrohës”, ka thënë Uka.

Zëdhënësja e Termokos potencoi se punimet në këtë pjesë pritet të përfundojnë javën e ardhshme.

“Punimet për evitimin e këtij problemi do të fillojnë shumë shpejt dhe pritet të përfundojnë javën e ardhshme”, ka thënë Uka.