Ndeshja Kosovë-Greqi, Policia e Kosovës jep detaje se cilat rrugë do të jenë të bllokuara

Nesër pritet të zhvillohet ndeshja në kuadër të Ligës së Kombeve mes Kosovës dhe Greqisë ndërsa për të monitoruar rendin dhe ligjin është thirrur edhe Policia e Kosovës.

Këta të fundit kanë dhënë detaje të planit operativ për të ofruar siguri në këtë ndeshje futbollistike.

Policia ka thënë se do të kujdeset që në perimetrin e jashtëm (perimetri i dytë) të stadiumit të ofrojë siguri dhe të kujdeset për mbarëvajtjen dhe lëvizjen e personave në atë perimetër.

“Kështu, nesër që nga mëngjesi rrugët që shkojnë drejt stadiumit ‘Fadil Vokrri’ dhe përreth tij do të jenë të bllokuara për qarkullim dhe parkim të veturave. Pra, nuk do të lejohet hyrja e veturave nga rruga ‘Luan Haradinaj’ dhe ‘Fehmi Agani’ në drejtim të stadiumit dhe lëvizja apo parkimi përgjatë rrugës përreth stadiumit. Kurse veturat zyrtare që lejohen të futën në atë zonë duhet të jenë të pajisura me leje të parkingut dhe do të futen në parkim vetëm nga rruga ‘Tirana’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje të njëjtit kanë thënë se, në zbatim të planit operativ do të angazhohet edhe në kontroll më të detajuar të atyre që ia mësyjnë stadiumit dhe nuk do të lejohen gjëra që mund të paraqesin rrezik në situata të tilla si dhe gjëra që janë të ndaluara për hyrje në stadium.

Federata e Futbollit të Kosovës, gjatë ditës njoftoi dhe kërkoi që qytetarët të cilët kanë blerë biletat për të shikuar ndeshjen mes Kosovës dhe Serbisë duhet të respektojnë rregullat të cilat janë bërë të ditura në një komunikatë për media.

Ndeshja Kosovë-Greqi, FFK bën thirrje për respektimin e disa rregullave në stadium