Isa Mustafa - FOTO - Valon Fana - KALLXO

Tërhiqet Isa Mustafa, i hap rrugë zgjedhjeve në LDK

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se është tërhequr nga drejtimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Unë po tërhiqem dhe Kuvendi do ta zgjedh kryetarin e ri të LDK-së. Së shpejti Kuvendi i LDK-së do ta zgjedhë kryetarin e ri”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se sipas statutit të LDK-së i kanë 60 ditë kohë për tazgjedhur kryetarin e ri por ata do ta zgjedhin shumë më shpejtë.

“Unë barti përgjegjësi për këtë që ka ndodhur edhe pse nuk kam qenë pjesë e zgjedhjeve. Unë atë që e shoh tani nuk mund ta shpjegoj sepse nuk kemi parë ndryshime të tilla për një kohë kaq të shkurtër kohore. Mbesim të presim se çfarë mund të ofrojë qeveria e re”, ka shtuar Mustafa.

Më tej, Mustafa ka thënë se do të mobilizohen që LDK të kthehet më e fuqishme.

Ndërsa nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në përfundim të fjalës së Mustafës tha që tashmë janë Kryesi në dorëheqje,

“Nuk ka të bëj me emra, ne jemi Kryesi në dorëheqje”, tha shumë shkurt Haziri.

Mbledhja e Kryesisë së LDK-së është mbajtur pas humbjes që ka pësuar LDK në zgjedhjet e jashtëzakonshme që janë mbajtur dje.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ, LVV kryeson me 47,88 %, PDK me 17,36% ndërsa LDK me 13,08%.