Foto: Policia e Kosovës

Tenton të kontrabandojë birra e mbi 2 mijë zogj nga Serbia, kapet nga Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kohës sa kanë qenë duke vëzhguar rrugën malore që lidh Konçulin (territori i Serbisë) me fshatin Korminjan në Kosovë, kanë hasur në një rast të kontrabandës me mallëra.

Sipas njoftimit, rreth orës 19:30 në rrugë malore është ndaluar një traktor me rimorkio, i cili drejtohej nga një person i dyshuar me iniciale J.J., i cili është nga një fshat i komunës së Ranillukut.

Policia ka thënë se gjatë kontrollit është vërejtur se ai kishte pasur të ngarkuara 20 arka të birrës “Tuborg”, 50 arka të birrës  “Zajqevsko”  dhe 2 mijë e 550 zogj të pulave.

Tutje në njoftim është thënë se malli dyshohet të jetë kontrabanduar nga territori i Serbisë dhe ishte futur ne Republikën e Kosovës në mënyrë ilegale.

I dyshuari është arrestuar dhe më pas është shoqëruar për intervistim në stacionin policor për Mbikëqyrjen e Kufirit.

Rasti është trajtuar nga njësitë përkatëse policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje në koordinim me prokurorinë përkatëse, Doganat e Kosovës dhe AVUK-në.

Foto: Policia e Kosovës
Policia e Kosovës
Policia e Kosovës