I akuzuari Zllatan Arsiq para Gjykatës - Foto: KALLXO.com

Sot pritet të merret edhe një vendim nga gjykata për krime lufte

Në Gjykatën e Prishtinës sot pritet të merret vendimi ndaj të akuzuarit Zllatan Arsiq, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Aktakuza kundër tij është ngritur në korrik të vitit 2023.

Ai po akuzohet për krime lufte në zonën e Kamenicës.

Ai është pjesë e Departamentit Kufitar të Policisë së Kosovës, aktualisht në suspendim me pagesë.

Para se të arrestohej për krime lufte në mars të vitit 2023, ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga hetuesit e Inspektoratit Policor nën dyshimet për lejim të kontrabandës në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Që nga ajo kohë Arsiq është i suspenduar nga detyra e tij.

Gjykimi ndaj tij për krime lufte ka filluar në nëntor të vitit 2023, e i njëjti nuk e ka pranuar fajësinë për akzuat e Prokurorisë.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet nga gjyqtarja Valbonë Selimaj.

Dosja për krime lufte

Sipas aktakuzës, Zllatan Arsiq në marsin e vitit 1999 para bombardimeve të NATO-s, në stacionin policor në Kamenicë, me uniformë të Policisë serbe e i armatosur kishte rrahur dhe trajtuar në mënyrë çnjerëzore të dëmtuarin Besim Muhaxheri.

Aktakuza thotë se Arsiq këtë e kishte bërë në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe.

Ai akuzohet se duke qenë në veturë policore e kishte ndaluar të dëmtuarin dhe i është drejtuar me fjalët: “Ku po i dërgon këto cigare?”, “UÇK-së po ja dërgon”, “Tash të tregoj se për kënd i ke blerë cigaret”.

Pasi që e kishin detyruar të shkojë me biçikletë në stacionin policor në Kamenicë, sipas aktakuzës, e kanë goditur me shufër gome, shqelma dhe grushte në pjesë të ndryshme të trupit për plot një orë e gjysmë.

Akti akuzues thotë se i dëmtuari Muhaxheri është torturuar në mënyrë çnjerëzore, me ç’rast ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe traumë.

Përveç këtij rasti, Zllatan Arsiq po akuzohet se ka marrë pjesë në dëbimin e qytetarëve të Kamenicës në periudhën shkurt deri mars të vitit 1999.

Tutje, aktakuza thotë se së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe kanë filluar plaçkitjen dhe djegien e shtëpive të shqiptarëve.

Sipas aktakuzës, disa ditë pasi që kishte ndodhur torturimi i të dëmtuarit, Arsiq është takuar me të dëmtuarin në oborrin e shtëpisë së tij, shtëpi e cila ishte djegur pas dëbimit të të dëmtuarit.

Takimi kishte ndodhur në oborrin e kësaj shtëpie, e që sipas aktakuzës Arsiq e kishte goditur me shuplakë të dëmtuarin dhe ia kishte vendosur tytën e armës automatike në fyt duke e kërcënuar me ekzekutim.