Tenori Ramë Lahaj i kërkon ministres hapësira për artistët

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim tenorin kosovar me renome ndërkombëtare Ramë Lahaj.

Gjatë këtij takimi tenori Lahaj kërkoi nga ministrja Dumoshi angazhim për ndërtimin e sallave koncertale.

MKRS përmes një komunikate për media, njofton se ministrja Dumoshi ka falënderuar tenorin Lahaj për kontributin dhe angazhimin e tij në fushën e kulturës, e sidomos për promovimin e kulturës shqiptare nëpër botë.

Njëkohësisht dhe forcimin e imazhit të Kosovës nëpër ngjarje kulturore kudo që merr pjesë.

“Ministrja Dumoshi, e informoi për planet dhe programin që pritet të realizohet në fushën e kulturës, duke përmendur edhe projektet infrastrukturore fizike të kulturës ku veçoi objektin e Operës dhe Baletit ‘Ibrahim Rugova’ i cili është në fazën e vlerësimit të hartimit të tij dhe komisioni vlerësues do të themelohet shumë shpejt”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, tenori Ramë Lahaj ka thënë se është e nevojshme krijimi i hapësirave për artistët që të kenë ku të performojnë dhe mbështetja e kulturës do të jetë inkurajim që artistët e rinj të krijojnë edhe më shumë.