Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com. Ilustrim.

Temperaturat e larta, Agjencia e Menaxhimit Emergjent apelon qytetarët të kenë kujdes për rrezikun nga zjarret

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), ju ka bërë apel qytetarëve në Kosovë që të kenë kujdes për rrezikun nga zjarret, për shkak të temperaturave të larta në vend.

Përmes një komunikate për media, AME ka thënë se tash meqë kemi hyrë në sezonin e verës, temperaturat e larta mund të ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqet e hapura, malore dhe fushore.

“Të jemi të gjithë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë në numrat emergjent pa pagesë 112 dhe 193, si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit, kudo që ai mund të paraqitet dhe kërcënon, pasi që për një veprim të tillë përveç tjerash na obligon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës si dhe aktet tjera ligjore dhe nënligjore” – thuhet në apelin e AME-së.

Tutje, AME ka thënë se zjarrvëniet e qëllimta, si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia janë vepra penale të cilat mund të sanksionohen me ligj.

Ata kanë apeluar që në rast se haset në ndonjë rast dyshimi për rrezik nga zjarri, të kontaktohen numrat emergjent 112 Qendra Operative Emergjente, 193 zjarrikësit, 192 Policia dhe 194 Shërbimi Mjekësor Emergjent.

“Paralajmërim i hershëm dhe veprimi i hershëm, shpëton jetë” – thuhet në apelin e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent.