Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, Foto: Valon Fana, KALLXO.com.

Telekomi i Kosovës fiton një rast në Tribunalin e Arbitrazhit

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se ka fituar një rast në Tribunalin e Arbitrazhit ndaj një kompanie nga fusha e IPTV-së, e cila përmes padisë kërkonte mbi 10 milionë euro.

“Pas një beteje të gjatë ligjore katërvjeçare, sot Telekomi i Kosovës Sh.A. ka pranuar Vendimin përfundimtar nga Tribunali i Arbitrazhit, përmes të cilit ka shënuar një fitore të plotë, duke refuzuar në tërësi kërkesat e palës paditëse” – thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, vendimi ka konfirmuar në tërësi veprimet e ligjshme të Telekomit të Kosovës.

Tutje, bëhet e ditur se ky rast i Arbitrazhit ka filluar më 19 shtator 2018, kur paditësi ka ngritur padi ndaj Telekomit në Tribunalin e Përhershëm të Arbitrazhit të Odës Ekonomike të Kosovës.

“Fatkeqësisht, kjo kontratë nuk ishte e vetmja. Përkundrazi, Telekomi i Kosovës, në përpjekje për të  kthyer ligjshmërinë në kompani, ka rishikuar të gjitha kontratat e mëdha. Gjate këtij rishikimi, ka hasur në shumë parregullsi. Demet ndaj Telekomit nga modele të ngjashme kontraktuale kapin vlera mbi 150 milionë euro” – thuhet në njoftim.

Në shkurt të vitit 2022 KALLXO.com ka raportuar se Telekomi i Kosovës do të obligohet që t’ia paguajë mbi 11 milionë euro kompanisë “Z-Mobile” pasi ka humbur edhe një rast kundër kompanisë “Dardafon.net L.L.C” në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Vendimi i Arbitrazhit është për rastin e mosvazhdimit të kontratës mes Telekomit dhe kompanisë “Dardafon.net L.L.C”, në të cilën Blerim Devolli ka 90 për qind të aksioneve kurse kompania “K-com Group L.L.C” ka vetëm 10 për qind të aksioneve.

Arbitrazhi e ka obliguar Telekomin e Kosovës të paguajë 10 milionë e 270 mijë euro kompanisë “Dardafon.net L.L.C”. Përveç kësaj për këtë shumë Telekomi do të paguajë edhe 8 për qind interes që do të llogaritet nga tetori i vitit 2019.

Telekomi humb Arbitrazhin kundër kompanisë së Blerim Devollit