Tejkalim në vijë të plotë, policia gjobit vozitësin dhe i konfiskon patent-shoferin

Pas raportimit nga qytetarët, policia në Gjilan ka identifikuar kundërvajtësin i cili kishte bërë tejkalim në vijë të plotë në aksin rrugor Prishtinë-Gjilan.

Përmes një njoftimi policia bënë të ditur se ndaj këtij kundërvajtësi është shqiptuar gjoba në vlerë prej 150 euro dhe masën e përkohshme të ndalim vozitjes në afat 3 muaj.

“Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, njësiti i komunikacionit rrugor falë bashkëpunimit me qytetarë, kanë identifikuar një kundërvajtës i cili duke drejtuar automjetin e tij në aksin rrugor Gjilan-Prishtinë në bazë të video incizimi të pranuar në E-mail adresën zyrtare, shihet duke bërë tejkalim në vijë të plotë, me të cilin veprim rrezikon pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion dhe bie ndeshë me rregullat e komunikacionit rrugor”- thuhet në njoftim.

Drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan tutje u ka bërë thirrje mediave dhe qytetarëve që për të gjitha kundërvajtjet mund të njoftojnë stacionin më të afërm të Policisë, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë’’.