Të burgosurit në Dyz prodhojnë shtretër nga druri

Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka njoftuar se në vazhdën e aktiviteteve të punës së organizuar nëpër burgje, të mbështetur nga organizata joqeveritare “Help Kosovo”, të burgosurit e Burgut të Sigurisë së Lartë, kanë filluar prodhimin e shtretërve nga druri.

Sipas njoftimit, të burgosurit në burgun e Dyzit, përveç se kanë aktivitete të shumta sportive, ata zhvillojnë edhe aktivitete tjera, me të cilat shprehin talentin në punën dhe zanatet e tyre që ata zotërojnë.

“Përmes këtij projekti synohet të ndikohet në rehabilitimin dhe ri-socializimin e personave të burgosur. Qëllimi i projektit është ngritja e kapaciteteve të grupeve të cenueshme në sferën ekonomike dhe shoqërore, në mënyrë që të ju krijohen mundësitë për pjesëmarrje aktive në shoqëri”, thuhet në njoftim.

SHKK ka njoftuar se puna e të burgosurve Brenda burgut përmirëson mundësitë e tyre për të jetuar edhe pas lirimit, si dhe normalizon jetën e përditshme në burg.

Tutje SHKK ka njoftuar se secili punim i kryer nga të burgosurit në punëtoritë e SHKK-së, kryesisht përdoren për nevojat e qendrave korrektuese dhe atyre të paraburgimit, por disa prej tyre jepen edhe si donacion.