Seanca për të akuzuarit për leje të armëve

Të akuzuarit për lejet e armëve kërkojnë marrëveshje

Të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës, apo autoritetit zyrtar kërkuan nga Gjykata marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Të akuzuarit Hamëz Bibaj dhe Mirsad Rexha, sipas aktakuzës dyshohen se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm kishin kërkuar para nga kandidatët, në këtë rast nga të dëmtuarit që kishin aplikuar për t`u pajisur me leje të armëve.

Pasi që dje mbrojtësi i të akuzuarit Mirsad Rexha, avokati Myhedin Bekeri, mbeti pranë propozimit të djeshëm rreth marrëveshjes për pranimin e fajësisë, edhe në seancën e sotshme mbrojtësi i të akuzuarit Hamëz Bibaj, avokati Sahit Bibaj i propozoj Gjykatës që me mbrojtësin e tij janë dakorduar të negociojnë marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Lidhur me këtë Sahit Bibaj kërkoi nga Gjykata që të t`u jepet mundësia e negocimit me prokurorin.

Prokurori Agron Matjani, lidhur me këtë propozim theksoi se pajtohet me propozimin e mbrojtjes dhe se për një kohë të shkurtër do ta njoftojë Gjykatën për epilogun e marrëveshjes.

Ndërsa i dëmtuari Sokol Neziri, i cili ishte i pranishëm, deklaroi se nuk e kundërshton këtë propozim nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve, mirëpo, theksojë se dëshiron kompensim dëmi prej 100 euro, të cilat para të akuzuarit ia kishin kërkuar për vete si dhe shpenzimet për ardhjen në gjykatë.

Lidhur me këtë çështje ishin të gatshëm të dëshmojnë edhe dëshmitarët Dardan Nurshaba dhe Kadri Imeri.

Në këtë seancë prapë nuk ishin të pranishëm dëshmitarët Kabir Shtavica dhe Destan Jupa.

Kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani, e aprovoi propozimin e mbrojtjes, që palëve të ju mundësohet negocimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Ndërsa Prokurori Agron Matjani, u obligua që javën e ardhshme ta njoftoj Gjykatën për arritjen ose jo të marrëveshjes.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 6 Qershor.