Arkiv - Foto: KALLXO.com

Dëshmi se si jepeshin lejet false për bartjen e armëve 24 orë në brez

Mensur Hoti dhe Akile Krasniqi, kanë dhënë dëshmitë e tyre në gjykimin ndaj të akuzuarëve për falsifikimin e lejeve të armëve, Atdhetar e Hashim Rexhepi dhe Qëndrim Veselaj.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Atdhetar Rexhepi akuzohet se ka rregulluar leje për armëmbajtje në emër të personave si: Jahir Krasniqi, Selman Maqani e Qëndrim Veseli, leje këto kinse të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas aktakuzës, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve i akuzuari Atdhetar Rexhepi gjatë viteve 2016/17 ka vënë në lajthitje personat Flakron Maqani, Fitim Imeri, Jahir Krasniqi, Selman Maqani dhe Qëndrim Veselaj, duke i nxitur të njëjtit që në dëm të pasurisë së tyre t’i japin veç e veç nga pesë mijë euro kinse për t’i pajisur me leje legale për armëmbajtje.

Dëshmitari Mensur Hoti deklaroi se vetëm ai dhe Edon Azemi kanë çasje për në listat e personave që e fitojnë të drejtën për të marrë leje për armëmbajtje dhe vendimmarrja bëhet në Departamentin për Siguri Publike, kurse përgatitja e dosjeve bëhet nga një zyrtar i divizionit për armë, municion dhe ekskluziv.

Dëshmitari Hoti deklaroi se të akuzuarin Atdhetar Rexhepi e kishte njohur personalisht, për arsye se familja e tij e ka pasur një kompani që është marr me tregti të armëve dhe ia ka njohur edhe babain, Hashimin i cili ka qenë i autorizuar i kompanisë “Fazani”.

Më tutje, dëshmitari Hoti shtoi se divizioni për armë, municione dhe eksploziv, kryen inspektime të rregullta, dhe atij nuk me kujtohet se kanë pranuar një raport i cili tregon se kompania ‘Fazani’, nuk është duke i mirëmbajtur kriteret në bazë të të cilave është licencuar.

“Kjo nënkupton, që në aspektin ligjor, teknik kompania ka qenë në rregull. Kompania Fazani nuk ka pasur të drejtë me shit armë apo me dhënë leje për shenjtari apo me ndërmjetësuar me MPB për armëmbajtje”, tha Hoti.

Dëshmitari mohoi deklaratën e dhënë në prokurori të të akuzuarit Atdhetar Rexhepi, i cili kishte thënë se ishte takuar me dëshmitarin Hoti në Tetovë, dhe kinse i njëjti kishte thënë se “Nuk mund të vazhdojmë me lëshuarje të lejeve për armëmbajtje dhe kinse e ka lut që mos me ia përmend emrin dëshmitarit”.

Hoti shtoi se departamenti për Siguri Publike nuk ka lëshuar leje për armëmbajtje për këta pesë persona, Jahir Krasniqi, Selaman Maqani, Flakron Maqani, Fitim Imeri dhe Hashim Rexhepi, të cilët asnjëherë  nuk kishin aplikuar në MPB për armëmbajtje dhe asnjëherë nuk janë pajisur me leje për armëmbajtje.

“Dokumentet të cilat janë gjetur te këta janë dokumente të falsifikuara, dhe për shkak të dokumenteve ne e kemi ngrit këtë çështje’’, shtoi dëshmitari.

Për falsifikim të dokumenteve dëshmitari tha se kishe kuptuar nga i akuzuari Qëndrim Veselaj, i cili ishte lajmëruar te zyrtarët e Ministrisë për Punë të Brendshme, me pretendimin se i kishte humbur leja për armëmbajtje.

“Pasi është verifikuar që nuk ka pasur kurrë leje për armëmbajtje të njëjtit i kam thënë që të vijë në zyrën time, dhe aty ai ka përpiluar një deklaratë me shkrim, në të cilën tregon se dokumentin/ lejen për armëmbajtje e ka marrë nga Atdhetar Rexhepi. Këtë deklaratë menjëherë e kemi përcjellur në polici dhe këtu është vërtetuar se dikush është duke bërë leje për armëmbajtje fals, dokumentet nuk janë shtypur në MPB”, shtoi dëshmitari.

Dëshmitarja Akile Krasniqi, inspektore për Sigurinë e Aviacionit Civil, deklaroi se kishte qenë  asistente e drejtorit Mensur Hoti në Departamentin për siguri publike.

Më tutje Krasniqi deklaroi se të akuzuarit Atdhetar Rexhepi dhe Hashim Rexhepin i kishte njohur pasi që kompanitë i kishin identifikuar në bazë të personave që kishin ardhur.

“Hashim Rexhepin nuk e kam parë shpesh, më shpesh e kam parë Atdhetar Rexhepin”, shtoi dëshmitarja.

Edhe për të akuzuarin Qëndrim Veseli dëshmitarja Krasniqi shtoi se e njeh prej kompanisë ‘Alba Fire’.

Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua më 05/02/2020.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 2016/17 i akuzuari Atdhetar Rexhepi ka përpiluar dokumente publike false që ruhen në bazë të ligjit, duke falsifikuar plotësisht lejet për armëmbajtje.