Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Deklarohen të Pafajshëm Zyrtarët e Policisë të Akuzuar për Leje të Armëve

Dy zyrtarë të stafit civil të Policisë në Rahovec, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e rregullimit të dokumentacionit për marrjen e lejes për armë, janë deklaruar të pafajshëm sot në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

“E kemi kuptuar në tërësi aktakuzën dhe nuk e pranoj fajësinë për veprën penale të cilën ngarkohem”, thanë dy të akuzuarit,

Hamëz Bibaj dhe Mirsad Rexha.

Para se Bibaj e Rexha të deklaroheshin rreth fajësisë, prokurorja e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Shpresa Bakija, e lexoi aktakuzën.

“I akuzuari Hamëz Bibaj në periudhën dhjetor 2016 e deri më korrik 2017, në cilësinë e personit zyrtar në zyrën për legalizim të armëve, pranë stacionit policor në Rahovec, e ka keqpërdorë detyrën e tij me qëllim që të përfitojë për veti dobi pasurore me veprime të kundërligjshme, në atë mënyrë që kandidatëve që kanë ardhur për t’u pajisur me leje të armëve u kanë kërkuar shuma të ndryshme të parave edhe pse për këtë gjë nuk kishte taksë të përcaktuar me ligj”, tha prokurorja.

Ndërsa, Mirsad Rexha, në cilësinë e mirëmbajtësit të objektit për stacionin policor në Rahovec, i ka ndihmuar të akuzuarit Hamëz Bibaj, në kryerjen e veprës penale dhe së bashku u kanë marrë para të dëmtuarve, shtoi prokurorja Shpresa Bakija.

“Së bashku me të akuzuarin e parë Hamëz Bibaj kanë marrë para nga të dëmtuarit lidhur me aplikimin e kërkesave të tyre për armë”, shtoi ajo.

Pas kësaj, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Sahit Bibaj dhe Myhedin Bekeri, kanë propozuar që me qëllim të ekonomizimit, shqyrtimi i dytë të mos mbahet, por me shkrim do t’i bëjnë kundërshtimet e tyre dhe Gjykata të vendosë jashtë seance lidhur me këto kundërshtime.