Arkiv - Foto: KALLXO.com

Të akuzuarit për falsifikimin e lejeve të armëve nuk paraqiten para gjyqit

 

Atdhetar e Hashim Rexhepi dhe Qëndrim Veselaj të akuzuar për falsifikim të lejeve për armë nuk janë paraqitur në gjykatë në seancën e planifikuar të mbahej sot.

Mungesa e tre të akuzuarëve bëri që seanca të dështojë.

Të akuzuarit Atdhetar e Hashim Rexhepi mungesën nuk e kishin arsyetuar.

Për të akuzuarin Qëndrim Veseli, mbrojtësi i tij avokati Labinot Vata e kishte njoftuar gjykatën se i akuzuari ishte lënduar në punë dhe nuk mund të prezantojë në seancën e sotme, i njëjti i kishte dorëzuar edhe raportin mjekësor.

Të pranishëm në seancën e sotme ishin dëshmitarët Mensur Hoti dhe Akile Krasniqi.

Në mungese të të akuzuarëve seanca e radhës u caktua për datën 23 dhjetor.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 2016/17 i akuzuari Atdhetar Rexhepi ka përpiluar dokumente publike false që ruhen në bazë të ligjit, duke falsifikuar plotësisht lejet për armëmbajtje.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Rexhepi duke shënuar në dosje të dhënat e nevojshme të personave, Hashim Rexhepi, Flakron Maqani e Fitim Imeri, të cilat leje nuk i plotësojnë tiparet e sigurisë sipas teknologjisë standarde dhe janë printuar në teknikën “elektrofotografi” që nuk kanë pasur reaksion nën rrezet UV dhe nën rrezet IK dhe nuk janë respektuar procedurat për lëshimin e lejeve për armëmbajtje të përcaktuara me dispozitat e Ligjit për Armë dhe rregulloren për armëmbajtje në Republikën e Kosovës.

I njëjti akuzohet se pastaj ka rregulluar edhe tri leje të tjera për armëmbajtje në emër të personave tjerë fizikë, si Jahir Krasniqit, Selman Maqanit e Qëndrim Veselit, leje këto kinse të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Me anë të paraqitjes së rreme të fakteve të përshkruara më lartë, sipas Prokurorisë, i akuzuari Atdhetar Rexhepi gjatë viteve 2016/17 ka vënë në lajthitje personat Flakron Maqani, Fitim Imeri, Jahir Krasniqi, Selman Maqani dhe Qëndrim Veselaj, duke i nxitur të njëjtit që në dëm të pasurisë së tyre t’i japin veç e veç nga pesë mijë euro kinse për t’i pajisur me leje legale për armëmbajtje.

Kurse babai i të akuzuarit Atdhetar Rexhepi, i akuzuari tjetër Hashim Rexhepi nga Prokuroria akuzohet se si drejtor i “Fazani” Sh.P.K. nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që të përfitojë i akuzuari Atdhetar Rexhepi, në atë mënyrë që duke mos e penguar, atij i ka lejuar dhe mundësuar që të ndërmjetësojë midis “Fazani” Sh.P.K. me persona fizik për të kryer shërbime për blerje, shitje dhe furnizim me armë dhe leje për armëmbajtje i cili nuk ka pasur asnjë pozitë në këtë kompani dhe kështu ka kontaktuar me personat e lartcekur të cilët i ka mashtruar. Dhe, për pasojë, sipas aktakuzës, pasi ua ka kërkuar dhe marrë lejet për armë bashkë me armët e përshkruara më sipër të cilat nuk ua ka kthyer si dhe dosjen e aplikimit për armë në emër të Festim Lushtakut, të cilat kanë qenë në portofolin e të akuzuarit Atdhetar Rexhepi, të cilin portofol e ka mbajtur i akuzuari Hashim Rexhepi në rrobat e veta që janë gjetur gjatë kontrollimit të përkohshëm të shtëpisë së të pandehurve.

Në seancat e kaluara të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprat që ju vihen në barrë.

Kurse i akuzuari i tretë, Qëndrim Veselaj, sipas Prokurorisë, në cilësi të dëshmitarit ka dhënë deklaratë të rreme ashtu që në fillim të vitit 2016 në deklaratën me shkrim të dhënë në MPB ka deklaruar se kinse ‘ju ka humbur leja për armëmbajtje që e kishte marrë nga i akuzuari Atdhetar Rexhepi dhe dëshiron të pajiset me leje të re për armëmbajtje’ edhe pse në fakt asnjëherë më parë MPB nuk i kishte lëshuar leje të tillë.

Atdhetar Rexhepi nga Prokuroria akuzohet se me veprimet e lartpërmendura ka kryer veprat penale të falsifikimit të dokumentit, mashtrimit dhe armëmbajtjes pa leje, Hashim Rexhepi akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa Qëndrim Veselaj për deklarim të rremë.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë rast. Artikujt mund t’i gjeni në këtë LINK.