Tatimi progresiv, një nga gjashtë kauzat e PSD-së
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, më 31.05.2026, përmes një video mesazhi në Facebook ka kundërshtuar mënyrën se si aplikohet sistemi i tatimit në Kosovë. Ai nuk pajtohet që tatimi të paguhet njëjtë nga të gjitha kategoritë e shoqërisë.
Derisa ka folur për pushtetin aktual duke e quajtur atë si “pushtet i bizneseve të mëdha”, Molliqaj e ka konsideruar si jo të drejtë që taksat detyrohen t’i paguajnë njëjtë si kompanitë me dhjetëra miliona euro fitim, si punëtori i ndërtimtarisë, furrtari, bujku, profesori e mjeku.
“Nuk jemi kundër fitimit të bizneseve të mëdha, absolutisht, por jemi kundër me çdo kusht që të paguhet njëjtë si ata që kanë nevoja të mëdha, si ata që kanë fitime të mëdha” – tha Molliqaj, përmes një videoje në Facebook.
Molliqaj tha se Kosova ka nevojë për parti të cilat e bëjnë opozitën përmes kauzave.
Një prej gjashtë kauzave me të cilat po garon PSD-ja në zgjedhje, sipas tij, është “tatimi progresiv”. Ai ka akuzuar Qeverinë Kurti se nuk ka ndryshuar nga ato parapraket.
“Kosova ka nevojë për parti të cilat e bëjnë opozitën përmes çështjeve e kauzave. Një prej kauzave tona prej gjashtë sa i kemi gjithsej ka me qenë tatimi progresiv, sepse Kosova buxhetin e mbush nga qytetari i thjeshtë, qoftë ai si punëtor apo konsumator. TVSH-në e paguani ju në çdo produkt që bleni. Akcizën në çdo produkt. TVSH-ja dhe akciza janë mbi 60% të buxhetit të Kosovës” – tha Molliqaj.
Ai bëri thirrje që të ndryshohet kjo situatë duke e përkrahur PSD-në në zgjedhjet e 7 qershorit, duke kritikuar opozitën se ata mendojnë për pushtet dhe pasurim të tyre, ndërsa nuk e kritikojnë qeverisjen e deritanishme.
Fushata për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjas deri në hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve më 07.06.2026.
Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.